Infektologu iu reagon qytetarëve që dolën në Prevallë e Brezovicë: Kjo nuk guxon të ndodhë

Infektologu Kosovar, Valbon Krasniqi, ka reaguar pas lajmeve se qytetarët kanë dalë nëpër vende malore të Kosovës, siç është Prevalla, Rugova e Brezovica. Krasniqi ka shkruar në Facebook se dalje të tilla të qytetarëve nuk duhet dhe nuk guxojnë të ndodhin

“Nuk munda të rri i qetë kur lexova në portalet tona se shumë qytetarë sot ja paskan mësyrë Prevallës. Në një video nga atje po shihen dhjetëra vetura duke pritur në radhë. Kjo nuk duhet të ndodhë ,, kjo NUK GUXON të ndodhë. Prevallën do t’a kemi aty edhe pasi të kalojë pandemia”, ka shkruar Krasniqi.

Ai shton se të gjitha këto bukuri natyrore do t’i kemi aty edhe pasi të përfundojë pandemia.

“Ndjej obligim profesional e qytetar, që t’ju bëj thirrje atyre njerëzve të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Prevallën , Badovcin, Rugovën, Batllavën e shumë bukuri tjera natyore të Kosovës do t’i shijojmë të gjithë bashkarisht pasi të kalojë epidemia. Uroj të kuptohet drejt kjo thirrje e imja dhe thirrjet e gjithë kolegëve e autoriteteve tona shëndetësore për të qëndruar në shtëpi”, ka theksuar infektologu Krasniqi.