Inflacioni në Gjermani arrin nivelin më të lartë në 7 dekada

Shifra e shtatorit prej 10.9 për qind vjen në një kohë kur të gjitha institutet po shpjegojnë mënyrën se si mungesa e gazit do të ndikojë në rritjen ekonomike të vitit 2023.

Inflacioni në Gjermani u rrit duke kapur nivele dyshifrore për herë të parë në më shumë se 70 vite. Ky fakt tregon gjendjen e pasigurt të ekonomisë më të madhe të Evropës, për të cilën ekonomistët kryesorë paralajmërojnë se mund të bjerë me deri në 7.9 për qind vitin e ardhshëm.

Çmimet e konsumit patën një rritje vjetore prej 10.9 për qind në muajin shtator, nivel ky më i lartë edhe se shifra 8.8 për qind e muajit gusht. Kjo është hera e parë që inflacioni në Gjermani arrin nivele dyshifrore që nga viti 1951 dhe kjo rritje pritet të shtojë inflacionin e përgjithshëm të eurozonës duke e çuar atë në një rekord të ri prej 9.7 për qind.

Rritja e inflacionit u nxit më tepër nga përfundimi i masave të përkohshme të ndërmarra për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga ndikimi i çmimeve të larta, të tilla si ulja e tarifës së karburantit dhe bileta mujore e subvencionuar prej 9 euro, transmeton telegrafi.

Po ashtu, çmimet e energjisë u rritën me 43.9 për qind krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, një shifër më e lartë se norma prej 35.6 për qind e muajit gusht, ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën me 18.7 për qind, krahasuar me 16.6 për qind një muaj më parë. Rritja e çmimeve në sektorin e shërbimeve ishte 3.6 për qind nga 2.2 për qind muajin e kaluar.

Vendimi i Rusisë për të ndërprerë furnizimet me gaz në Evropë pas pushtimit të Ukrainës, e ka futur Gjermaninë në krizën më të rëndë energjetike që nga Lufta e Dytë Botërore. Rritja e çmimeve të gazit ka detyruar shumë kompani që të reduktojnë prodhimin apo edhe të mbyllin tërësisht aktivitetin e tyre, ndërkohë që konsumatorët familjarë po përgatiten për një rritje të konsiderueshme të faturave të ngrohjes.