Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur keqardhje për viktimat e termetit në qytetin Elazig të Turqisë, ku mbetën të vdekur së paku 22 persona dhe 1,031 të plagosur.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Thaçi theksoi se “Kosova është e gatshme të ofrojë ndihmën e nevojshme dhe bashkëndjenë dhimbjen me popullin e Turqisë”.
Our hearts go out to families of victims and those injured by the earthquake that hit #Elazig. #Kosovo is ready to send immediate operational assistance, as we stand by the people and Government of #Turkey in these tragic moments.
— Hashim Thaçi (@HashimThaciRKS) January 24, 2020
Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka ngushëlluar familjarët e viktimave të tërmetit, si dhe ka theksuar që “institucionet e Kosovës janë të gatshme për ndihmat e nevojshme humanitare përfshirë edhe njësitë operacionale të FSK-së”.
Të premten, tërmeti me fuqi prej 6.8 shkallësh të Richterit pati epiqendrën në qytetin Sivrice në provincën Elazig.
Ai bëri që ndërtesat të shemben dhe njerëzit të dalin në rrugë.
Dridhjet e tokës u ndjenë edhe në Siri, Liban dhe Iran. Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar operacionin për viktima tjera të mundshme.