Intervenimi i Policisë në Komunën e Klinës: Ky është i dyshuari që kërcënoi shoferin dhe asistentin e kryetarit Elezaj

U raportua sot për një sherr që ka plasur në komunën e Klinës, ku një person ka tentuar të futet me forcë në zyrën e kryetarit, Zenun Elezaj dhe për pasojë konflikti ka eskaluar në kanosje. I dyshuari i ka kërcënuar shoferin dhe asistentin e Elezajt, por kjo i kushtoi me arrestim. Rasti është konfirmuar edhe nga vet kryetari, teksa Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarit.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 45-vjeçarin, Sebastian Krasniqi, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Ai po dyshohet se shkaktoi probleme në komunë pasi deshi të shkonte në zyrën e të parit të komunës. Por ndonëse nuk kishte marrë dritën e gjelbër për takim me kryetarin Elezaj, ai ka tentuar që me anë të forcës të depërtojë brenda zyrës së tij.

Pavarësisht tentativës, ai është penguar nga asistenti administrativ dhe shoferi i Elezajt. Këta të fundit pasi penguan të dyshuarin që të kryente qëllimin e tij, u përballën me kërcënime serioze se gjoja se do të ballafaqohen sërish me të posa ta kryejnë orarin e punës.

Përballë kësaj situate, ata kanë njoftuar organet e rendit, të cilët kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili edhe më parë kishte bërë probleme dhe kishte tentuar që pa lënë takim të futej në zyrën e kryetarit Elezaj.

Gazeta Sinjali sot ka kontaktuar edhe me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i cili ka thënë se nuk ka informacione të detajuara lidhur me atë që ka ndodhur.

Elezaj u shpreh se nuk është rast për të cilin duhet ngritur shqetësim, teksa tha se këto raste janë të shpeshta.

“Se di, se di unë për besë. Jam i njoftum, po është Policia le t’iu japin ata deklarata, s’po di çka është ai rast. Aty ka raste të përditshme që vijnë, për shembull pengojnë me hy në punë, ku e di unë të çfarë natyre janë, nuk e di konkretisht. Nuk kam informacione të detajuara vetëm më thanë që dikush ka dashtë me hy atje në Komunë, i ka pengu në punë, po nuk e di se s’kom marrë detaje ma shumë. Unë nuk jam ballafaqu me të, po nuk është rast për shqetësim, njeri i dehur thanë ka qenë le të merren organet e drejtësisë me të”, tha Elezaj për Sinjalin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.