IPK suspendon tre policë që u shoqëruan me persona me precedent penale

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, pasi në media u publikua një video ku ata shfaqen në shoqërinë shoqërinë e njërit prej njerëzve më të afërt të Enver Sekiraqës.

Lajmi për suspendimin e tyre është konfirmuar për Sinjalin nga IPK.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve sipas detyrës zyrtare ka filluar hetimet ndaj tre zyrtarëve policorë të cilët sipas publikimit të një video në media ku bazuar në këtë video dyshohet janë në shoqërim të personave me të kaluar kriminale (shoqërim me personin e dyshuar për nxitje të vrasjes së ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës Triumf Riza).

Lidhur me rastin është informuar Prokuroria e Shtetit, ndërkaq në interes të zhvillimit të hetimit IPK ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë. Veprimet e tjera hetimore do të ndërmerren sipas autorizimeve ligjore të IPK-së”, thuhet në konfirmim.

Raportohet se policët e supsenduar janë Valon Fetahu e Donat Jashari, pjesëtarë të Anti-Terrorizmit dhe Bashkim Krasniqi, pjesëtar i Njësisë Speciale Operative.