Isa Mustafa heq dorë nga kandidati për kryeministër, nominohet Avdullah Hoti

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa e ka konfirmuar se kandidati i LDK-së për kryeministër do të jetë Avdullah Hoti.

“Kemi diskutuar për Avdullah Hotin, Kujtim Shalën, Lutfi Hazirin dhe ka pasë edhe emra të tjerë që janë përmendur. Me vullnetin e të gjithëve jemi pajtuar që Avdullah Hoti të propozohet për kryeministër në qeverinë që ne së bashku me partitë e tjera partnere do t’ia propozojmë Kuvendit”.

Mustafa pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se e ka refuzuar kërkesën e pothuajse të gjithë anëtarëve të LDK-së që ai të jetë kandidati për kryeministër.

Ai ka thënë se një gjë të tillë e ka bërë jo se nuk e dëshiron një përgjegjësi të tillë, por vetëm për arsye shëndetësore.

“Sot e diskutuam në Kryesinë e LDK-së çështjen e kandidatit tonë për kryeministër. Procedura në LDK është që Kryesia propozon kandidatin dhe këtë kandidat ia dërgojmë Këshillit të Përgjithshëm për vendimmarrje definitive. Do ta bëjmë këtë pas përgatitjeve teknike”.

“Unë për të mos i mbetur borxh Kryesisë së LDK-së: ishte një kërkesë e gati të gjithë anëtarëve të LDK-së që unë si kryetar ta marrë këtë përgjegjësi, sepse ata e konsideronin si vullnet dhe përgjegjësi të tyre dhe timen”.

“Unë e arsyetova para Kryesisë që nuk jam në gjendje ta marrë këtë përgjegjësi, jo që nuk e dëshiroj sepse konsideroj se vendi është në situatë mjaft të rëndë dhe pandeminë, por edhe krizën ekonomike që mund ta kemi”.