Ish-deputetja e VV’së: Nuk e di pse Qeveria Kurti ka hapur betejën me media, kur do ta humbë atë

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Vetëvendosjes (VV), Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se një Qeveri e mençur që mendon me qëndru gjatë në skenën politike, momentin që i hap betejë mediave, ka me humbë.

Në debati e fundit në ‘Pressing’ është diskutuar për raportin e Qeverisë Kurti me media.

Aty është cekur se si militantët e Vetëvendosjes por edhe Qeveria po bojkotojn mediat si Gazeta Express, Gazeta Metro, Periskopi, Insajderi.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe ish-deputetja e VV’së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila ka thënë se çdo Qeveri që hap betejë me media, do ta humbë atë.

“Unë mundem me thënë që një Qeveri e mençur ose një klasë politike e cila mendon me qëndru në pushtet, momentin që ia hapë betejë mediave ka me humbë. Kjo nuk është vetëm në Kosovë, por është botërisht e njohur, se të gjithë ata politikanë që i hapin betejë mediave dhe fillojnë luftën me ta, kanë me dalë humbës. Domethënë nuk mundesh me hapë betejë me ta, është e pamundur”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Tutje ajo ka thënë se nuk mund ta kuptoj VV’në se pse e ka hapur betejën me media.

“Nuk di pse e kanë hapur këtë betejë ata [VV], është hera e parë që po dëgjojë që deri këtë shkallë ata janë të mbyllur për media”, ka thënë tutje Donika Kadaj-Bujupi.

Kritika për bojkot të mediave ka pasur edhe nga gazetarë e figura të tjera publike.