Ish-drejtori i Policisë: E lus Qeverinë qysh sot ta ndryshojë vendimin që NJSI mos të del nesër në protestë

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj për Front Online ka thënë se i vie keq që Njësitë Policore po detyrohen të dalin në rrugë duke kërkuar të drejta, të cilat do të duhej t’u takonin edhe me ligj.

Qalaj, ka pasur një apel për Qeverinë e Kosovës.

“I bëj apel Qeverisë të mos lejoj që për shkak të shtesave Policia e Kosovës të detyrohet të dal në rrugë për shkak se ata janë duke u kujdesur për sigurinë e këtij vendi për mbrojtjen territoriale dhe integritetin territorial të këtij vendi, prandaj i kisha lut Qeverinë edhe njëherë që të merr masa urgjente gjatë ditës së sotme, ta ndryshoj vendimin në mënyrë që Policët mos të dalin nesër në protestë”, është shprehur Qalaj, për Front Online.

Ish-drejtori i Policisë Rashit Qalaj, tani deputet i PDK-së, deklaron se është gabim që shtesat për Policinë e vendit të trajtohen me vendimin e fundit të Qeverisë.

“Mendoj që është gabim, mendoj që është e pafalshme, mendoj që nuk ka ndonjë logjikë që shtesat e rrezikshmërisë për Policët e Kosovës të trajtohen ashtu siç janë trajtuar me vendimin e fundit të Qeverisë, mirëpo mendoj që Qeveria duhet urgjentisht të ulet së bashku me menaxhmentin e Policisë dhe me Sindikatën e Policisë dhe të gjej një zgjidhje të kënaqshme për të dyja palët”, ka thënë ai.