Ish-gjyqtarja thotë se kishte presion nga politika për lirimin e një të burgosuri

Ish-gjyqtarja Emine Kaçiku, tash avokate, gjatë dhënies së dëshmisë para Gjykatës Themelore në Prishtinë në çështjen penale ndaj Bedri Durakut, në cilësinë e të dëmtuarës, të martën deklaroi se ka pasur presion nga politika, për ndërhyrje që ta lironte një të burgosur, sa ishte kryesuese e Panelit për Lirim me Kusht (PLK).

“Kanë dërgu persona të ndryshëm, kolegë, emrat nuk kisha dashtë m’i cek, mirëpo i kanë dërgu persona po t’bën t’fala ky, ky, ky person”, tha ish-gjyqtarja Kaçiku.

Në këtë rast, Duraku, akuzohet se në cilësinë e koordinatorit për Panelin e Lirimit me Kusht (PLK) në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka bërë përpilimin e një akti me përmbajte të rreme, me çka edhe akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar.

“Kanë dërgu persona të ndryshëm, edhe me rekomandim që ti duhet me vepru kështu qysh na po thojmë”, tha ajo.

Në seancën e së martës, Kaçiku tha se kishte presione, konkretisht nga politika madje të nivelit më të lartë nga politika, që të lirohej një person i caktuar nga burgimi dhe se menjëherë pasi që ishte shkarkuar nga detyra e kryesueses së Panelit për Lirimin me Kusht (PLK), personi në fjalë është liruar nga burgimi.

“Pas shkarkimit tim, ai person është liruar nga burgu”, tha e dëmtuara Kaçiku.

Tutje, gjatë dëshmisë së saj, Kaçiku tha se të njëjtit persona nuk kanë mundur që të ndikojnë në vendimet e saja, për çka shtoi edhe se është krenare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kaçiku tha se arsyeja se pse ishte shkarkuar nga pozita e kryesueses së PLK-së, është pikërisht fakti se nuk ka lejuar asnjë ndikim politik në vendimet e marra nga ajo.

Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Ngadhnjim Arrni, e dëmtuara Kaçiku tha e këto presione të ardhura nga politika, nuk i ka paraqitur zyrtarisht sepse sipas saj ishin më të pushtetshmit në Kosovë, por tha se kishte biseduar me individë të ndryshëm për të njëjtën çështje.

Pas këtyre deklarimeve, prokurorja Fitore Sadikaj tha se e fton të dëmtuarën Kaçiku që të japë deklaratë në Prokurori lidhur me këtë situatë që sapo kishte deklaruar, mirëpo e njëjta tha se është e kotë sepse individët që kishin tendenca për ndikime tanimë gjenden jashtë shtetit.

E dëmtuara Kaçiku shtoi se personalisht kishte telefonuar të akuzuarin Duraku për atë se çka ndodhi në mbledhje të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe në atë moment sipas saj e kishte kuptuar se ishte shkarkuar nga pozita e kryesueses së PLK-së.

“E kam thirr Bedriun edhe ai me telefon më njoftoi edhe më tha po të kanë shkarku, nuk e kam zgjatë ma tepër edhe atë natë kam udhëtu për pushim”, tha e dëmtuara.

Kaçiku, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Duraku, avokatit Naim Rudari tha se nuk e kishte parë emrin e të akuzuarit Duraku në vendimin për shkarkim të saj.

Gjithashtu, e dëmtuara Kaçiku deklaroi se nuk e di a ka pasur ndikim fakti se njërës nga shkresat po i mungonte baza ligjore, shkresa ku ishte dhënë mendimi nga i akuzuari Duraku në cilësinë e koordinatorit të PLK-së, për vazhdimin e mandatit si kryesuese e PLK-së.

Shkresën e parë sipas të dëmtuarës Kaçiku, fillimisht e ka pranuar me tri fletë, ku në fletën e dytë ishte edhe baza juridike e sqaruar se pse duhej vazhduar mandatit në krye të PLK-së, kurse për të njëjtën çështje kishte pranuar një shkresë të dytë, në të cilën mungonte faqja e dytë ku cekej baza juridike.

Sipas saj, me të vërejtur këtë situatë e kishte lajmëruar Policinë e Kosovës lidhur më këtë rrethanë se pse për të njëjtën çështje njëra shkresë ka tri fleta, ndërkaq shkresa tjetër vetëm dy, e që mund të jetë shkresa që i është dorëzuar edhe KGJK-së.

Tutje, gjatë dëshmisë e dëmtuara Kaçiku tha se nuk e kishte parë asnjëherë shkresën e ish-kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, më të cilën ka kërkuar ndërprerjen e mandatit të saj në krye të PLK-së, edhe pse kishte insistuar që ta ketë nga KGJK-ja.

“Jo, nuk e kam pa asnjëherë atë shkresë edhe pse e kam kërku, nuk jam pajis me të njëjtën”, shtoi Kaçiku.