Ish-këshilltari i Pal Lekajt jashtëligjshëm është zgjedhur drejtor i Aviacionit Civil, thonë juristët

Mospërmbushja e kriterit të përvojës menaxheriale, sipas njohësve të legjislacionit, e bën të jashtëligjshëm procesin e zgjedhjes së ish-këshilltarit të ministrit Pal Lekaj, Eset Berisha, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil.

Në mesin e kritereve ligjore për këtë pozitë, kandidati duhet t’i ketë pesë vjet përvojë menaxheriale, shkruan sot “Koha Ditore”.

Berisha, në letrën, përmes së cilës ka paraqitur kandidaturën e tij për këtë pozitë, ka thënë të ketë qenë udhëheqës i Zyrës Ligjore për Çështje Rregullatore për afro 6 vjet. Megjithatë, vendimi i datës 20 maj 2011 i lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil, Berishës ia ka ndërruar pozitën nga “jurist i aviacionit” në “këshilltar ligjor i aviacionit”.

Në vendimin për ndërrimin e pozitës askund nuk thuhet që Berisha do të ketë post menaxherial ashtu siç ka pretenduar ai me dokumentet që i ka dorëzuar kur e ka shpallur kandidaturën për drejtor të AAC-së tek ish-shefi i tij, Pal Lekaj.