Ish-Komandanti Fadil Gashi u kërkon institucioneve të merren me Shefqet Kabashin

Ish-komandanti i UÇK-së në Sferkë të Klinës, Fadil Gashi, ka folur për herë të parë pas deklaratave të Shefqet Kabashit, i cili tha se eprori i tij, Alush Agushi, i kërkoi ta vriste. Në një bisedë për Gazetën Express, Gashi tha se i njeh të dy, por nuk u beson fjalëve të asnjërit, derisa organet e hetuesisë ta zbardhin komplet rastin.

Njërit prej udhëheqësve të luftës në Dukagjin, Fadil Gashit, nuk po i bën përshtypje “urdhri” për vrasjen e tij. Ai thotë se i ka dëgjuar deklaratat e Shefqet Kabashit e Alush Agushit në media, por nuk dëshiron t’i komentojë derisa fjalën përfundimtare ta thotë drejtësia.

“I njoh të gjithë. Nuk është që i njoh sot po i njoh para 20-30 viteve… Ata e kanë bo publike dhe janë organet që duhet mi shku deri në fund kësaj pune, unë u besoj institucioneve. Ata duhet të sqarohen para prokurorit fillimisht”, tha Gashi për Gazetën Express.

I pyetur nëse ka dëgjuar më parë për urdhrin e vrasjes dhe si janë raportet e tij me Alush Agushin e Shefqet Kabashin, Gashi thotë se nuk i beson asnjërit përveç institucioneve të Kosovës.

“I vetmi person që foli për veten time jam unë, nuk jam ithtar m’i komentu deklaratat e askujt… Veç për vete jap përgjegjësi. Nuk kam asnjë koment… Sa i përket urdhrit, ai (Shefqeti) po thotë është e vërtetë, këta (Alushi) po thonë që nuk është e vërtetë. Kërkujt s’i besoj deri të del e vërteta”, përfundoi ish-komandanti i UÇK-së.

Sidoqoftë, rrëfimi i ish-ushtarit të Zonës së Dukagjinit, Shefqet Kabashi, ka bërë bujë në publik. Sipas Kabashit, Alush Agushi kërkoi nga ai vrasjen e dy shqiptarëve pas luftës. Këtë e ka mohuar Alush Agushi.

Ai e ka quajtur Kabashin “psikopat që ka dezertuar në luftë”.

Ndërsa, Shefqet Kabashi ka dhënë deklaratë në Prokurorinë e Pejës për ato që i tha në emisionin “Pressing” në T7. Kabashi thotë se të njëjtat fjalë i ka thënë edhe në prokurori dhe i qëndron prapa këtyre deklaratave.

“Sa i përket rastit të Alush Agushit i qëndroj prapa atyre që i kam thënë në studio (emisionin Pressing), nuk i largohem asaj”, tha Kabashi për Gazetën Express.

I pari që ka hapur këtë temë është Shefqet Kabashi, emri i të cilit u rikthye në publik, gjatë javës së kaluar me rastin e 20-vjetorit të përkujtimit të masakrës në Burgun e Dubravës. Kabashi, njëherësh i mbijetuar i kësaj masakre, doli përpara foltores, dhe ua tha në sy kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe zyrtarëve të tjerë të PDK-së si Hajredin Kuçi e Nait Hasani se nuk e meritonin të ishin të pranishëm në këtë manifestim. U tha tradhtarë dhe “marre duhet me ju ardhë”.

Por, pas këtij manifestimi, prezantuesja e lajmeve në televizionin publik, RTK, Alketa Gashi Fazliu, e cila e moderoi atë ditë këtë ngjarje, është kërcënuar me jetë. Disa orë më vonë në e-mailin zyrtar të programit “Mirëmëngjesi Kosovë”, asaj i erdhi një audio-incizim ku një person që shpërndan deklaratat e Kabashit në Facebook, E.B., kërcënon seriozisht Alketa Gashi-Fazliun. Për këtë kërcënim Shefqet Kabashi thotë se është intervistuar nga policia.

Megjithatë, prezantuesja e RTK-së thotë se nuk ka asnjë problem me Shefqet Kabashin. Po ashtu, edhe ky i fundit thotë se e ka “respektuar si motër”. Për këtë rast mund të lexoni KËTU.