Ish-komandanti i UÇK-së: Ende gjendjen e luftës s’e kemi kaluar me Serbinë, nuk shkohet në kufi me duar në xhepa

Edhe pas 24 vjetëve nga mbarimi i luftës, Kosova dhe Serbia po vazhdojnë të kenë probleme.

Tash e tri javë veriu i vendit po përballet me protesta e tensione. Serbët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur në katër komunat në veri.

Nga këto protesta u lënduan shumë gazetarë, policë e pjesëtarë të KFOR-it.

Tre policë të Kosovës u kidnapuan nga Serbia dhe po mbahen atje.

Ndërkombëtarët po u bëjnë thirrje dy palëve, Kosovës dhe Serbisë që ta shtensionojnë situatën derisa një takim në kuadër të dialogut do të mbahet shumë shpejt.

Të gjitha këto zhvillime i ka komentuar në një prononcim për Front Online, ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Llapit, Latif Gashi.

Ai po fajëson pushtetin për situatën e krijuar derisa thotë se klasa e re politike po dëmton interesat e Republikës.

“Kjo klasë e re politike që nuk ka bërë asgjë sepse janë duke i dëmtuar interesat e Kosovës, dhe kam frikë se ka me pasë pasoja”, tha ai për Front Online.

Latif Gashi: Përgjegjëse për rrëmbimin e policëve është klasa politike

Ish-komandanti i UÇK-së, Latif Gashi thotë se për të ruajtur kufirin, është dashur të dërgohet njësi e fortë, e jo tre policë.

“Shumë më dhimben policët, por përgjegjës pse kanë shku në gojën e ujkut prapë është klasa politike. Me i dërgu vetëm tre policë me nejt në kufi, është dashur me dërgu njësi të fortë edhe me i dërgu disa që janë të përgatitur, me dërgu njësi elite. Në asnjë mënyrë nuk është dashur me i dhënë rast që serbët me i marr me i kidnapu ata, domethënë prapë përgjegjësia është tek klasa politike”, u shpreh ai për Front Online.

Ish-komandanti i UÇK-së: Pa marrëveshje përfundimtare, nga Serbia priten të gjitha të këqijat

Ish-komandanti i UÇK-së, Latif Gashi thotë se derisa nuk ka marrëveshje përfundimtare, nga Serbia pritet gjithçka.

“Ende gjendjen e luftës me Serbinë se kemi kalu, hala marrëveshje përfundimtare me Serbinë nuk kemi nënshkruar, domethënë përderisa nuk bëhet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, dhe nuk është e njohur ajo marrëveshje edhe ndërkombëtarisht, prej Serbie të gjitha të këqijat duhet me i prit”, u shpreh Gashi.

Ai thotë se KFOR-i nuk ka dështuar në ruajtjen e kufijve.

“Nuk duhet me shku ne kufi me nejt në duar në xhepa, unë nuk e konsideroj që ka dështuar KFOR-i. KFOR-i është duke e zbatuar atë mandat që e ka, duhet me i koordinu punët me KFOR-i, po t’i kishte treguar KFOR-ut që policët janë në kufi, garant nuk ishin marrë ata”, tha ai për Front Online.

Ish-komandanti Gashi bën thirrje që për çdo vendim të bashkëpunohet me faktorët ndërkombëtarë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri, shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa kryeministri Kurti, në anën tjetër, ka dalë me propozimin e vet të përbërë nga pesë pika për uljen e tensioneve në veri

1.Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët

2.Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës

3.Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.

4.Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri

5.Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave