Vetëvendosje mundohet t’ia mbulojë huqjen Besnik Bislimit i cili para kohe tha se u arrit marrëveshja për targat

Sekretari për Media dhe Komunikim nga Lëvizja Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka thënë se deklarata e djeshme e zv/kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi lidhur me draft-dokumentin për zgjidhjen e çështjes së targave në mes Kosovës dhe Serbisë,i është keqkuptuar qëllimshëm.

Manxhuka përmes një publikimi në Facebook u mundua ta sqarojë deklaratën e Bislimit, e cila dje është transmetuar drejtpërdrejtë nga Brukseli.

Manxhuka ka thënë se në pikat kufitare në veri do të vazhdojë të jetë Policia e Kosovës vetëm se Njësia Speciale do të zëvendësohet me KFOR-in.

“Tre keqkuptime të qëllimshme nga deklarata e kryeministrit Besnik Bislimi:

1. Në pikat kufitare do të jetë Policia e Kosovës, pra SHTETI i Kosovës, vetëm Njësia Speciale zëvendësohet me KFOR;

2. Parimi i reciprocitetit mbetet në fuqi, siç bëhet me targat e Kosovës do të bëhet edhe me ato të Serbisë;

3. Targat KM (akronimi serbisht për Komunën e Mitrovicës) nuk përbëjnë përjashtim, ato janë dhe mbeten ilegale për shtetin e Kosovës”,shkroi Manxhuka.

Gjatë ditës së djeshme në Bruksel është zhvilluar takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ku pikë kyçe e diskutimit ishte çështja e targave dhe vendosja e reciprociteti ndaj Serbisë nga shteti i Kosovës.

Në këtë takim është finalizuar draft dokumenti për zgjidhjen e kësaj çështje, por derisa Kosova e ka pranuar këtë dokument, pala serbe ende nuk është pajtuar me të.

Ky draft-dokument është arritur të përpilohet me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, por që pala kosovare dhe ajo serbe nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano njoftoi mbrëmë se negociatat do të vazhdojnë, derisa të gjendet një zgjidhje adekuate për krizën në veri të Kosovës.

I pranishëm në zhvillimet e djeshme në Bruksel ishte edhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zv/ndihmës Sekretari i Departamenti të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabiel Escobar.

https://www.fokusi.info/bislimi-nga-brukseli-u-arrit-nje-marreveshje-me-serbine/lajme/