Ish-komandanti i UÇK-së për bastisjet e Speciales: Po cenohet privatësia, është e çuditshme dhe spektakël “sui generis”

Gjykata Speciale, mbase rastësisht, në Ditën e Epopesë së UÇK-së, vendosi të bëj bastisje.

Specialja bastisjen e nisi në shtëpinë e komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimit.

E disa ditë më vonë, u ndalua nga policia e Gjykatës Speciale edhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Këtij të fundit, pas intervistimit, iu konfiskua telefoni.

E një gjë të tillë, ish-komandanti i UÇK-së, Ramë Buja, e konsideron cenim të privatësisë.

Ai për Front Online thotë se kjo çfarë po ndodhë është e çuditshme.

“Realisht këto janë spektakël, por që realisht asnjë njeri normal nuk mundet të i sheh me aq shqetësim, sepse kjo çështja e hetimeve në këtë gjykatë duhet të përfundoj dhe kjo po vazhdon pa kufi dhe pa ndalë fare. Dhe natyrisht, njerëzve po iu merret telefoni, cenohet privatësia të cenohet gjithçka që nuk do të duhej të ndodhte me Gjykatën që është e Kosovës në fakt, andaj sinqerisht është diçka sui generis, tepër e çuditshme, tepër e veçantë, s’ka çfarë të thuhet’, u shpreh ai për Front Online.

Për bastisjet pikërisht në ditët kur festohej Epopeja e UÇK-së, pati reagime nga figura publike.

Për këtë, Ramë Buja për Front Online tha që nuk beson që bastisjet ishin të “qëllimshme”.

“Unë nuk besoj që janë të tilla, megjithatë bastisjet dolën si spektakël i vërtetë, atëherë kur kremtohej, festohej për data të caktuara, të shenjta për neve, mbase edhe mund të ketë, por unë nuk besoj që mund të ketë lidhje për këtë”, ka thënë ai.

Ramë Buja: Shqetësuese udhëzimi administrativ nga Qeveria për financime për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë

Ish-komandanti i UÇK-së, Ramë Buja ka thënë se një gjë që mund ta bëjë shteti për të akuzuarit nga Gjyakata në Hagë, është që të kryejë obligimet financiare ndaj avokatëve të tyre.

“Shteti e ka për obligim të kryejë obligimet financiare që i ka të avokatëve të akuzuarve që janë atje, ndërsa për gjërat e tjera i ka marr të gjitha kompetencat gjykata, i ka të gjitha nivelet e gjyqësisë, kështu që e ka pak të vështirë. Por, obligimet financiare që janë të përcaktuara me ligj do të ishte mirë që t’i kryej, por sipas të gjitha gjasave është bërë një udhëzim administrativ, i ka korrigjuar ato veprime, ato mundësi për financime për mbrojtjen dhe kjo është diçka që më shqetëson”, u shpreh ai për Front Online.

Ndryshe, gjatë vitit që shkoi janë kryer bastisje me urdhër të Gjykatës Speciale në shtëpitë e disa bashkëpunëtorëve të ish-presidentit Hashim Thaçi, që është në mesin e të akuzuarve për krime lufte.

Po ashtu, Specialja ka arrestuar ish-deputetin Haxhi Shala e ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën akuzën për “pengim të administrimit të drejtësisë”.