Ish-kryeministri i Sllovenisë kërkon hetim parlamentar për aferën Berishaj: Po presim edhe tri nënshkrime

Ish-kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ka komentuar raportimet e mediave për skandalin e madh financiar në të cilin dyshohet se është i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Jansha ka publikuar disa raportime të gazetave, duke thënë se nga muaji maj po presin për tri nënshkrimet që siç thotë ai, koalicioni qeverisës atje i ka premtuar për formimin e një komisioni hetimor për skandalin ku përfshihet kryeministri aktual i Sllovenisë, Robert Golob.

“Me sa duket, të gjitha parlamentet e Ballkanit do të krijojnë komisione hetimore për dyshimet për korrupsion në lidhje me kompaninë GENi, para Asamblesë Kombëtare Sllovene. Që nga muaji maj, ne kemi pritur më kot tre nënshkrimet e premtuara të koalicionit Sllovenia e Re”, ka thënë Jansha.

Ndryshe skandali financiar i ambasadorit Martin Berishaj ka tronditur opinionin politik në disa shtete, por më së rëndi në Kosovë dhe Slloveni.

“Pronari i MB Consulting dhe i punësuari i vetëm i kësaj kompanie është Martin Berishaj. Ai u ka thënë autoriteteve tatimore në Mal të Zi që arsyeja përse i ka tërhequr paratë kesh kishte të bënte me një marrëveshje që ai e kishte me kompaninë e tij”, thotë media sllovene në prill, duke treguar që Berishaj i ka tërhequr rreth 200 mijë euro nga llogaria personale dhe rreth 320 mijë të tjera i ka tërhequr si profit nga llogaria e biznesit.

Kjo kompani ishte hapur nga ana e Martin Berishajt vetëm dhjetë ditë përpara se të bëhej pagesa e parë nga kompanie GEN-i në Beograd.

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.