Ish kryeministri tregon se çka ka ndikuar në rritjen ekonomike

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklarimit nga Qeveria së ka pasur rritje ekonomike.

Ai në facebook ka shkruar së janë tre faktorë që kanë mundësuar kalimin e shpejtë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia covid-19.

“Pakot e rimëkëmbjes ekonomike (përfshirë tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional) që kanë mundësuar të futen në ekonomi rreth 700 milionë euro”, ka shkruar ndër të tjera Hoti në Facebook.

Postimi i plotë i Hotit:

KUSH ËSHTË BURIMI I RRITJES EKONOMIKE TË VITIT 2021?

Janë tre faktorë që kanë mundësuar tejkalimin e shpejtë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia covid-19 dhe kthimin e ekonomisë së Kosovës në trajektoren e saj të rritjes ekonomike, e cila trajektore zanafillën e ka në pakot fiskale 1 dhe 2 të viteve 2014-2017.

Të tre këta faktorë lidhen me zhvillimet në vitin 2020:

(1) Pakot e rimëkëmbjes ekonomike (përfshirë tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional) që kanë mundësuar të futen në ekonomi rreth 700 milionë euro;

(2) Koordinimi i Qeverisë dhe Bankës Qëndrore gjatë vitit 2020 për ri-programim të kredive të bizneseve dhe qytetarëve për të shtyrë pagesën e interesit dhe kryegjësë për disa muaj; dhe

(3) Dërgesat e diasporës gjatë vitit 2020 që kanë arritur nivele rekorde.

Dy faktorët e parë janë rezultat i veprimeve qeveritare dhe institucionale, ndërsa i treti lidhet me natyrën altruiste të diasporës tonë për të ndihmuar të afërmit në Kosovë.

Këto veprime kanë mundësuar që kriza të tejkalohet qysh në tremujorin e parë të vitit 2021 dhe t’i kthehemi rritjes ekonomike solide gjatë gjithë këtij viti.

Ekonomistët e mirëfilltë duhet të gjurmojnë lidhjet shkak-pasojë, e jo të interpretojnë të dhënat shumë përciptas duke e shtrembëruar të vërtetën me apo pa qëllim.