Abazovic: Mali i Zi nuk ka asnjë vend më të afërt sesa Serbia

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic ka thënë se problemet që ekzistojnë mes Serbisë dhe Malit të Zi, duhet të tejkalohen.

“Mali i Zi nuk ka ndonjë vend më të afërt se sa Serbia, dhe problemet akute që ekzistojnë ose janë të imponuara nga dikush tjetër, duhet të tejkalohen në mënyrë që të kuptojmë se sa më shpejt që arrijmë një bashkëpunim vëllazëror, aq më mirë do të jetë për qytetarët e të dy vendeve”, ka thënë Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic, raporton Danas, transmeton lajmi.net.

Abazovic ndër të tjera ka folur edhe për masakrën e Srebrenicës, ndërsa shtoi se qeveria malazeze apo shumica e re parlamentare nuk ka diskutuar për këtë temë.

“Sigurisht për arsyet e tyre llogaritëse që dikush duhet të marrë disa pikë politike mbi viktimat e Srebrenicës”, deklaroi ai.

Zv/kryeministri i Malit të Zi ndër të tjera tha se do të ishte i lumtur të shkonte në Beograd të bisedonte me zyrtarë atje, kurse theksoi se mbështet një pjesë të kritikave që mund të dëgjohen nga Beogradi por edhe nga Podgorica.

“Nuk po e them tani, nuk dua ta banalizoj, të mos keqkuptohem, por më vjen vërtet keq që gjeneroi kaq shumë pluhur në publik, posaçërisht në mediet serbe. Pra, nuk kemi të bëjmë me vendimet e Parlamentit të Republikës së Serbisë dhe as nuk mendoj se qeveria në Serbi duhet të merret me vendimet e Parlamentit të Malit të Zi. Këto janë organe autonome, dy shtete të pavarura, ato janë të përcaktuara siç mendojnë”, u shpreh Abazovic.

Ai deklaroi se me dialog dhe marrëdhënie miqësore e vëllazërore duhet të zgjidhen të gjitha çështjet.

“Nga ana tjetër, të gjithë janë më se të mirëpritur në Malin e Zi dhe unë mendoj se në një dialog dhe marrëdhënie miqësore dhe vëllazërore duhet të zgjidhim të gjitha çështjet e hapura nëse ato ekzistojnë, dhe se tema të tilla që janë thënë kaq shumë herë në rajon duhet të mos përsëriten për të ngritur pluhur sepse në atë mënyrë ne nuk do të prodhojmë asgjë të mirë për asnjë vend në Ballkanin Perëndimor, përfundoi Abazovic.