Ish-kryetari i Kushtetueses: Sa më shumë që vonohet krijimi i Asociacionit ne i afrohemi idesë serbe

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani ka folur për rreziqet që mund t’i kanosen Kosovës, nëse vonohet krijimi i Asociacionit sipas vendimit të Kushtetueses.

Hasani ka thënë se sa më shumë që vonohet themelimi, aq më shumë afrohet ideja për krijimin e Asociacionit si autonomi politike.

“Sa më shumë të shtyhet rezistenca ndaj formimit të Asociacionit, ne aq më afër i afrohemi idesë serbe për Asociacionin si autonomi politike-territoriale, si Republika Sërpska ose si bashkësi politike e serbëve lokalë, që del prej rendit kushtetues të Kosovës. Sa më shumë të vonohet, ne i afrohemi idesë serbe”, thotë Hasani për Evropën e Lirë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese [të Kosovës] nuk është marrë me kompetencat ekzekutive ose jo, por vetëm ka treguar që natyra e Asociacionit, siç është propozuar [më 2013], siç është operacionalizuar më 2015, bie ndesh me Kushtetutën ekzistuese. E keqja e kësaj Qeverie [të Kosovës], ashtu sikurse edhe të gjitha tjerave, është se nuk i dalin përballë Asociacionit, ta bëjnë një draft për të dhe të diskutojnë. Ata duhet të ulen, ta bëjnë një draft dhe të thonë ‘kjo është pozita jonë për këtë çështje’, ta zbatojnë dhe të thonë ‘kjo është kështu edhe pikë’”, vlerëson Hasani.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.