Ish-polici serb i Kosovës i dyshuar për krime lufte në Komunën e Vushtrrisë del para Gjykatës

Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Sllagjan Trajkoviq, i dyshuar për krime lufte pritet të dalë sot në mesditë para Gjykatës Themelore të Prishtinës në seancën dëgjimore, ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit, raporton Gazeta Sinjali.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës Mirlinda Gashi, tha për Gazetën Sinjali, se dje pasdite kanë pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së parbaurgimit ndaj të dyshuarit S. T.

“Gjykata ka caktuar që seanca dëgjimore nga gjyqtari i procedurës do të mbahet sot në orën 12: 00 për të shqyrtuar kërkesën e PRSK-së”, tha Gashi.

Gazeta Sinjali ka raportuar se i arrestuari i takon nacionalitetit serb dhe ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës në valën e dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka ndaluar një person me inicialet S.T. për veprën penale krimet e luftës kundër popullatës civile.

PRSK-ja njofton se dyshimet e Prokurorisë Speciale konsistojnë në faktin se i pandehuri S.T. së bashku edhe me persona të tjerë të uniformuar ka marr pjesë në në ofensivën ushtarake të datës 06.04.1999, në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në ofensivën e datës 02.05.1999, në qytetin e Vushtrrisë. Në këtë rast i pandehuri në bashkëveprim edhe me persona të tjerë ka qenë i përfshirë në keqtrajtimin, maltretimin, plaçkitjen si dhe vrasjen e personave civil dhe shpërnguljen më dhunë nga shtëpitë e tyre gjatë kohës se luftës.

“Si pasojë e këtyre veprimeve inkriminuese të të pandehurit, Prokuroria Speciale me qëllim të sigurimit të prezencës të të njëjtit në procedurë, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit”, njofton PRSK.