Ish-prokurorja e EULEX-it, Bamieh: EULEX është një mision politik

Ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, ka konfirmuar ato që ka thënë edhe ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, se EULEX i ka dërguar në Beograd për t’i zgjidhur të gjitha rastet e krimeve të luftës në të cilat ishin të përfshirë të dyshuarit serbë. Ajo gjithashtu ka thënë se EULEX është kryesisht një mision politik

Bamieh ka deklaruar për gazetën serbe “Danas”, se edhe pse në EULEX nuk është marrë me krime lufte ka gjetur 400 raste, në të cilat serbët ishin paditur, por të cilët nuk ishin regjistruar.

“Unë e informova menaxhmentin dhe u krijua një ekip për t’i shqyrtuar ato raste. Atëherë nuk e dija se çfarë ndodhi me ato raste, sepse u ktheva në detyrat e mia të zakonshme në lidhje me krimin financiar. Pas një viti, bisedova me prokurorin e krimeve të luftës, i cili më tha se të gjitha rastet në të cilat serbët ishin të dyshuar ishin dërguar në Serbi për zgjidhje. Nuk mund ta kuptoja një vendim të tillë, sepse Prokuroria Speciale e Kosovës duhet të merrej me ato raste”, ka treguar Bamihe.

Ndryshe, ish prokurorja Bamieh është e njohur se ka folur publikisht për korrupsionin në EULEX. Ajo e bëri këtë për herë të parë në vitin 2014. Dhe, që nga ajo kohë, ajo përpiqet të provojë pretendimet e saj, së pari në media, pastaj edhe në gjykatë, duke pasur parasysh se ajo paditi EULEX para gjykatës administrative britanike në Londër.

Bamieh thekson se krimet e luftës janë shumë të ndjeshme dhe se është e rëndësishme që të ketë pavarësi të plotë politike në zgjidhjen e këtyre çështjeve.

“EULEX-i nuk ka treguar një pavarësi të tillë. Zëdhënësi i EULEX-it tha se një nga arsyet që çështjet u dërguan në Beograd ishte se ata kishin vetëm tre prokurorë të krimeve të luftës. Nëse ata do të donin të merrnin përsipër një fushë kaq të rëndësishme dhe emocionale të ligjit në të ashtuquajturin Mision i sundimit të së drejtës atëherë do të siguronin fonde të mjaftueshme për të hetuar dhe ndjekur penalisht këto krime”, tha Bamieh.

Përndryshe, pas ish-prokurores Bamieh, edhe ish-gjykatësi i EULEX-it Malcolm Simmons foli për skandalet në EULEX.

Sipas letrës së Simmons të botuar nga mediat në Prishtinë, ai ishte dëshmitar i shkeljeve të ligjit në disa raste që dëshmonin se kishte një ndikim të paligjshëm në administrimin e drejtësisë në Kosovë.

Bamieh thekson se pajtohet me Simmons se EULEX është kryesisht një mision politik.

Sa i përket padisë së saj kundër EULEX-it në Gjykatën e Londrës, gjithçka u stopua për shkak të COVID-19, megjithëse, siç thotë Bamieh, gjykatat e tjera po punojnë edhe në kohë pandemie.

Maria Bamihe akuzoi shefat e saj të atëhershëm – kryeprokuroren Jaroslava Novotna dhe zëvendësin e saj Jonathan Ratel, për presion mbi të dhe bllokimin e hetimit të saj për vrasjen e trefishtë.