Ishte dënuar me 7 vjet burgim për drogë, ky është shqiptari që u kap në Kamenicë pasi kërkohej nga Gjermania

Gazeta Sinjali raportoi sot për një aksion që u zhvillua gjatë ditës së djeshme në Roganë të Kamenicës për kapjen e një personi të kërkuar nga Interpoli, ku Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë një shqiptar që po kërkohej në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Gjermania.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për Ramadan Asanin, 63-vjeçar, i cili sipas informacioneve të para, ka jetuar në Bujanoc dhe nga atje, në mënyrë ilegale ka arritur të hyjë në Kosovë, por që u zbulua dhe pas një periudhe të shkurtër zyrtarët policorë kanë arritur ta kapin.

Siç mëson Gazeta Sinjali, ai është dënuar nga gjykata në Gjermani me më shumë se 7 vjet burgim për veprat penale që kanë të bëjnë me substanca narkotike. Aktgjykimi në rastin e tij është bërë i plotfuqishëm, por që i njëjti ka arritur ta shijojë lirinë nga arratia.

Megjithatë, Policia ka arritur ta arrestojë të njëjtin, i cili është gjetur në fshatin Roganë, ku fillimisht ishte prezantuar rrejshëm, duke tentuar t’iu ikë prangave, por rezultoi se bëhet fjalë për personin që po kërkohej nga Gjermania. I njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor në Gjilan, ku ndaj tij është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit pritet të bëjë kërkesën e nevojshme për paraburgim, bazuar në procedurat e ekstradimit.

Ndryshe, sipas Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, “edhe para pranimit të kërkesës për ekstradim, personi i kërkuar mund të arrestohet dhe paraburgoset për një periudhë maksimale prej dyzet (40) ditësh, në qoftë se shteti kërkues dorëzon tek Ministria kërkesën për arrest të përkohshëm, në të cilën ceket se dokumentet e referuara në nenin 18 paragrafi 2 të këtij ligji ekzistojnë dhe se një kërkesë për ekstradim do të paraqitet në kohën e duhur”.