“Ishte i përfshirë në skandalin e dosjeve”: Avokati i Nasim Haradinajt, insiston që të hetohet Jack Smith

Avokati i Nasim Haradinajt në Hagë, Toby Cadman, është duke e vazhduar betejën e tij në Gjykatën Kushtetuese rreth hetimit të ish-kryeprokurorit të Speciales, Jack Smith.

Pasi dorëzoi ankesën në Gjykatën Kushtetutese të Hagës ku përfshiu edhe dosjen e ish-agjentit federal, John Moynihan, Cadman po vazhdon të insistojë që Jack Smith duhet të hetohet.

Duke përmendur dosjen e Moynihan, Cadman ka theksuar se dosja tregon që “Jack Smith ka qenë i përfshirë në zbulimin e dosjeve”.

“Në lidhje me rëndësinë e letrës, Mbrojtja thekson se faqja 4 e Parashtresës A të Ankesës nënkupton se dokumentet e dorëzuara në Shoqatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë dalë nga ish-Prokurori i Specializuar dhe faqja 3 e Provës C tregon për përfshirjen e ish-Prokurorit të Specializuar në rrjedhjen e dokumenteve. Të dy pasazhet kanë një ndikim në mbrojtjen e kurthit/nxitjes”, thuhet në këtë përgjigje të avokatit Cadman.

Një dosje kundër Jack Smith, ish-Prokurorit të Specializuar të Hagës, është ngritur në Departamentin e Drejtësisë.

Atë e ka bërë ish-agjenti federal për hetimin dhe ndjekjen e krimeve financiare, John Moynihan.

Sipas dosjes, Jack Smith ka udhëhequr skemë korruptive lidhur me Gjykatën Speciale të Hagës.

Në tekst është aluduar se ish-prokurori special për hetimin dhe ndjekjen penale të ish-krerëve të UÇK-së ka kërkuar ryshfet prej “100 milionë dollarëve” nga “një kryetar shteti” në mënyrë që të lirohet nga akuzat e pretenduara për krime lufte, duke mos përmendur në mënyrë specifike se për cilin “kryetar shteti” dhe cilin rast bëhet fjalë.

Ankesa e Cadman

Këtë dosje, e kishte shfrytëzuar avokati i Nasim Haradinajt në një ankesë që e kishte bërë në Gjykatën Kushtetuese të Speciales.

Avokati i Haradinajt në kërkesën e tij drejtuar Dhomave të Specializuara, ka kërkuar hetim kundër ish-kryeprokurorit, Jack Smith, raporton Nacionale.

“Ankesa e sinjalizuesit paraqet prova të sjelljes së rëndë kriminale të ish-prokurorit të Specializuar. Konkretisht, ai thuhet se ka qenë i përfshirë në skema për të akuzuar ish-presidentin Hashim Thaçi për të sabotuar një takim në Shtëpinë e Bardhë, për të zhvatur para nga [REDAKTUAR] duke e kërcënuar me procedim penal dhe për të trajnuar [REDAKTUAR] për të bërë deklaratat për Prokurorinë dhe për të nxjerrë dosjet për krimet e luftës në mënyrë që të merren para nga ata që përmenden në to”, thuhet në kërkesën e avokatit të Nasim Haradinajt, raporton Nacionale.

“Është e rëndësishme të theksohet në këtë fazë se këto janë akuza që janë shfaqur së fundi në domenin publik dhe se ato do të duhet të hetohen siç duhet nga SPO. Deri në këtë pikë, PSP-ja nuk tregoi në komunikimin e saj të datës 18 dhjetor 2023 për mbrojtjen nëse këto çështje janë duke u hetuar aktualisht nga PSP-ja”, ka thënë avokati Cadman.

“Këto aktivitete të supozuara të ish-prokurorit të Specializuar përforcojnë qëndrimin e mbajtur nga parashtruesi në kërkesë (dhe në gjykim dhe në apel) se mënyra e veprimit të PSP-së ishte diskriminuese, e motivuar politikisht dhe jo e pavarur”, thuhet në kërkesë.

Përgjigja e Prokurorisë

Ndaj kësaj ankese, ishte përgjigjur edhe Prokuroria e Specializuar.

Prokuroria e Hagës i ka dalë mbrojtje ish-shefit. Në parashtrimin e tyre ata kanë vlerësuar se artikujt e tillë në media, janë tendencë për të diskredituar Jack Smithin dhe Prokurorinë e Specializuar.

“Artikulli nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e pabazë për të diskredituar ish-Prokurorin e Specializuar në Shtetet e Bashkuara dhe punën e ZPS-së. Akund në artikull nuk përmend Nasim Haradinaj, sjellja kriminale për të cilën ai u dënua në të vërtetë, apo ndonjë gjë që i afrohet kurthit. Ky informacion nuk ka ndikim në Referim dhe nuk duhet pranuar”, thuhet në parashtrimin që e ka parë Nacionale.

“Së pesti, rrëfimi i përgjithshëm i personave që pretendojnë lidhur me ish-prokurorin e specializuar është transparentisht i pabesueshëm dhe në kundërshtim me të dhënat faktike. Të gjitha akuzat kundër ish-prokurorit të specializuar në artikull i atribuohen nga të tjerët një personi, i cili dyshohet se është agjent i CIA-s, i cili – mes operacioneve të tjera – mori pjesë në arrestimin e Slobodan Millosheviçit dhe në operacionin kur u vra Osama Bin Laden. Dëshmitarët e intervistuar në artikull të gjithë besojnë se ky person është mashtrues dhe gënjeshtar”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë ndaj ankesës së avokatit të Haradinajt.

Prokuroria shkon edhe më tutje duke thënë se artikulli ishte me agjendë politike.

“Kjo mungesë besueshmërie është e dukshme edhe në një vlerësim prima facie. Por ka edhe informacione të shumta përtej një vlerësimi të tillë që tregon se artikulli i tenderuar është përgatitur me një axhendë politike nëpërmjet dëshmitarëve me besueshmëri të dyshimtë”, thuhet aty.