Ismaili kritikon Zemajn: Ku është dora e shtetit, shumë qyetarë të infektuar me COVID-19 po trajtohen nëpër shtëpi

Sot në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi ka raportuar ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, lidhur me situatën e pandemisë COVID-19 në Kosovë.

Deputeti Uran Ismaili, njëherësh edhe ish-ministër i Shëndetësisë, tha që qeveria Hoti duhet t’u dalë në ndihmë komunave në përballje me pandeminë.

Ismaili deklaroi se qytetarët të cilët janë infektuar me COVID-19 dhe nuk janë të shtrirë në spitale, nuk po përkrahen fare nga shteti dhe se janë lënë në mëshirë të fatit.

“Qytetarët e sëmurë nuk e dinë se kë duhet të thërrasin dhe ku të drejtohen pasi të infektohen me virus. Ju takon juve që si qeveri të ftoni të gjithë kryetarët e komunave që t’u dalin në ndihmë të gjithë qytetarëve, të cilët po trajtohen nëpër shtëpitë e tyre ngase dora e shtetit nuk po ndihet”, tha Uran Ismaili.

Përveç kësaj, ministri Zemaj mori edhe kritika të ndryshme për menaxhimin e dobët të pandemisë nga anëtarët e Komisionit për Shëndetësi.