Ismaili: Kurti po e tradhton votuesin e Vetëvendosjes duke u bërë shërbëtor i Mustafës

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka takuar sot kreun e LDK-së, Isa Mustafa, me të cilin kanë folur për situatën aktuale politike në vend.

E ky takim po shihet si servilitet i Albin Kurtit nga akterë të ndryshëm politik.Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se Albin Kurti e shet veten si të dinjitetshëm e me integritet, por nga frika që të shkojë i vetëm në zgjedhje ai po i përulet “Profesorit” deri në servilosje.

Sipas Ismailit, i cili aktualisht ushtron edhe postin e ministrit të shëndetësisë, Albin Kurti për të prekur pushtetin është në gjendje të shndërrohet edhe në vegël të personit që e luftonte me metodat më të pamoralshme dhe më jodemokratike dhe me të cilin nuk e lidhë asnjë princip apo vlerë përpos frika nga PDK-ja dhe lakmia për privilegje.

Reagimi i plotë i Isamilit:

Albin Kurti paska takuar Isa Mustafën. A thua si ndihen votuesit e VV-së të cilët Albin Kurti i tradhton duke iu lutur Isa Mustafës për partneritet?!

Mbështetësit e tij janë tronditur nga fakti se ai e paska quajtur Isa Mystafën “profesor” dhe i paska uruar punë të mbarë dhe shëndet. Sa qesharake dhe sa ironike.Një kohë për të Isa Mustafa nuk ishte “profesor”, por shërbëtor i Rrahman Morinës, Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit.

Ishte “argat i Serbisë që po e bosnjëzon Kosovën dhe Esat Pashë që po i falë territore Malit të Zi”. Dikur e akuzonte me 72 dosje për krim të organizuar, sot e lajkaton me ofertë për koalicion.Ai tani po e sheh si shpresë njeriun që e akuzonte se “po e zbrazë Kosovën duke e mbytur perspektivën”. Në ditët e tij të arta të huliganizmit nuk i uronte Isa Mustafës punë të mbarë, por rrëzim të mbrapshtë e të dhunshëm.

Nuk i uronte shëndet e jetë të gjatë, por qeverisje të shkurtër dhe fund të mjerë duke ia rrezikuar shëndetin me gaz lotsjellës.E gjuante dhe e turpëronte me vezë në shtëpinë e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe e sulmonte me molotovë në shtëpinë e tij familjare. Albin Kurti e shet veten si të dinjitetshëm e me integritet, por nga frika që të shkojë i vetëm në zgjedhje ai po i përulet “Profesorit” deri në servilosje.

Për të prekur pushtetin ai është në gjendje të shndërrohet edhe në vegël të personit që e luftonte me metodat më të pamoralshme dhe më jodemokratike dhe me të cilin nuk e lidhë asnjë princip apo vlerë përpos frika nga PDK-ja dhe lakmia për privilegje.

Megjithatë këto aleanca tepër joparimore vetëm se do ta rrisin mbështetjen qytetare për PDK-në. Rrugëtimi ynë drejt rikonfirmimit si forca më e madhe demokratike në vend është i pakthyeshëm. Ne mbesim rruga e vetme për luftimin e korrupsionit, nepotizmit dhe ndërtimit të një shteti që ofron ardhmëri të sigurt për të gjithë qytetarët e tij.