Italia eliminon Belgjikën, kalon në gjysmëfinale

Italia në gjysmëfinale të EURO 2020! Skuadra e Roberto Mancinit ia ka dalë të fitojë kundër Belgjikës me rezultatin 2-1 dhe e bën diçka të tillë duke bërë një futboll ndryshe nga ai i zakonshmi.

Barella dhe Insigne fituan betejën me Lukakun, duke i dhënë Italisë fitoren dhe kualifikimin.

Axurrët e nisën me vrull, duke shënuar që në minutën e nëntë me Bonucci. VAR shpëtoi Belgjikën për një pozicion jashtë loje milimetrik, por ishte një paralajmërim që Italia do bënte gjithccka të fitonte.

Në vijim belgët ishin disi më kërkues, por me goditjet nga distanca vetëm sa e vunë në provë portierin Donnarumma. Pas 30 minutash lojë erdhi goli i parë i ndeshjes, me autor Nicolo Barella. Fantastik ishte mesfushori i Interit, që goditi saktë brenda zonës dhe festa tek Italia nisi.

Në fundin e pjesës së parë Insigne prodhoi një perlë nga të tijat dhe Courtois nuk kishte çfarë bënte. Gjithsesi Belgjika mori një penallti të dyshimtë pas një ndërhyrje të Di Lorenzo. Me VAR u vendos dhe Lukaku hapi ndeshjen.

Italia e mbylli në epërsi pjesën e parë, ndërsa në të dytën sulmuesi i Interit u ndal nga Spinazzola që shmangu golin e barazimit. Mbrojtësi anësor pesë minuta më pas, 66′, kishte mundësinë të realizonte golin e tretë, por pa sukses.

Italia, e vendosur mirë, ia doli që në vazhdim të ruhej nga sulmet e Belgjikës dhe të ruante epërsinë mes drithërimave, duke u kualifikuar kështu në gjysmëfinale të EURO 2020 dhe tani duhet të mendojë për duelin me Spanjën.