Italia në kaos nga koronavirusi, 6 të vdekur në burgje për shkak të pakënaqësisë për masat

Italia, që mezi po i bën ballë përhapjes së furishme të koronavirusit, e prej të cilit vetëm gjatë 24 orëve të fundit jetët kanë humbur 366 persona, është goditur të hënën nga revoltat në dy burgje të vendit. Gjashtë të burgosur kanë vdekur në një burg të qytetit Modena teksa në një tjetër në Pavia rojat janë marrë peng. Krejt kjo, si pasojë e shpërthimit të pakënaqësive kudo në vend rreth masave drastike të ndërmarra nga Qeveria për frenimin e përhapjes së virusit.

Të burgosurit ia kanë vënë flakën një pavijoni, pasi që u njoftuan se do t’u ndalohet pranimi i vizitave, raporton KOHA.

Autoritetet raportuan se dy prej të burgosurve kanë vdekur nga mbidoza me metadon, pasi vodhën sasi të mëdha të kësaj droge sintetike për zbutjen e dhembjeve gjatë plaçkitjes së spitalit të burgut.

Qeveria e Italisë ka vazhduar me zbatimin e masave drastike për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke u shprehur e gatshme të shpenzojë më shumë në terapitë e ndryshme mjekësore.

Shteti italian, i cili është shndërruar në vatër evropiane të përhapjes së virusit nga Kina, po dështon në zbatimin e përpiktë të masave më të rrepta të ndërmarra që prej Luftës së Dytë Botërore.

Në kuadër të masave të shpalosura të dielën, më se 16 milionë persona në veri të Italisë janë vënë në karantinë, teksa rastet me virus janë konfirmuar në 20 rajonet italiane.

Qeveria ka bërë të ditur se Italia mund ta luftojë virusin po qe se njerëzit i ndjekin rregullat, duke shtuar se sakrifica duhet të bëhet për të mirën e të gjithëve.

Masat parandaluese do të zgjasin deri më 3 prill, por ato e kanë goditur rëndë pjesën veriore të vendit, që ndryshe njihet si motori ekonomik i Italisë.