Iu arrestua vëllai, Shqipe Pantina: S’tentoi të ikte, ishte jerm dhe e ngatërroi daljen

Policia dje arrestoi gjashtë persona dhe konfiskoi 12 kilogramë marihuanë në disa lokacione nëpër vend.

Por, gjatë kontrollit në një lokacion, Policia tha se një i dyshuar tentoi t’u ikte atyre duke kërcyer nga një lartësi e shtëpisë.

Për pasojë, i dyshuari kishte pësuar lëndime.

E ky i dyshuar doli të ishte vëllai i anëtares së LDK-së, Shqipe Pantina.

Kjo e fundit foli për rastin, duke thënë se vëllai i saj s’tentoi të ikte nga policia, por ishte gjysmë i përgjumur dhe e ngatërroi daljen nga dhoma.

“Është e vërtetë se ai ka pësuar lëndime serioze dje, por është e vërtetë se ai nuk ka tentuar të i ikë arrestimit. Gjysmë i përgjumur (në jerm) ai ka ngatërruar daljen nga dhoma”, është shprehur Pantina.

Tutje, ajo tha se vëllai i saj është jashtë rrezikut për jetë por ka lëndime serioze të boshtit kurrizor, përcjell Klankosova.tv.

Ndër të tjera, ajo tha se është e vërtetë që shtëpia e vëllait të saj është bastisur dje nga Policia, “por është e vërtetë se aty NUK është gjetur ASGJË, këtë e ka vërtetuar sot edhe Gjykata”.

“Vëllai im nuk akuzohet për asgjë”, potencoi ish-deputetja Shqipe Pantina.