Ja kur priten aktakuzat e para nga Gjykata Speciale

Që shtatë muaj prej se në Kosovë kanë ardhur ftesat e para nga Gjykata Speciale, tani janë bërë 70 gjithsej. E të gjithë të ftuarit ishin ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u intervistuan. Disa nga ta në cilësinë e dëshmitarit e disa si të dyshuar.

I pari që pati konfirmuar pranimin e ftesës nga prokurori i specializuar, në fillim të dhjetorit të vitit 2018, ishte Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit. Ndërkohë gjatë javës që shkoi ftesë për intervistim mori edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, i cili menjëherë pas kësaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Duke marrë parasysh të gjitha zhvillimet që ndërlidhen me Gjykatën Speciale, avokati Tahir Rrecaj ka konsideruar se aktakuzat e para mund të ngrihen në vjeshtën e këtij viti.

“Besoj që aktakuzat mund të ngrihen diku nga vjeshta e këtij viti, sepse është një fazë shumë intensive e përfundimit të hetimeve nga ana e prokurorit të Dhomave të Specializuara”, ka deklaruar Rrecaj.

Rrecaj, i cili është avokat i pesë personave të dyshuar, ka thënë se ka të atillë persona që janë ftuar nga Gjykata, porse nuk duan ta bëjnë publik emrin e tyre. Në këtë drejtim ai ka bërë të ditur se vetëm njëri nga klientët e tij ka shprehur dëshirën të tregojë publikisht që është ftuar nga Specialja.

Sipas Artan Çerkinit, avokat i akredituar nga Gjykata Speciale, pesha e personave që janë ftuar së fundi nga kjo gjykatë ka bërë të mendohet se është intensifikuar puna e Speciales.

“Ndoshta vetë pesha e personave që kanë marrë ftesa kohët e fundit ka krijuar një perceptim se Prokuroria e Specializuar është më aktive” tha ai për Zërin.

Në fakt Prokuroria ka qenë aktive qysh prej fillimit të vitit, vazhdimisht ka dërguar ftesa, por ndoshta po duket se është intensifikuar puna e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për shkak se kohët e fundit njerëzit me peshë shoqërore dhe politike në vend kanë marrë ftesa”, ka theksuar ai.