Policia ia dënon vëllaun, zv-ministri i arsimit kërcënon policinë (Foto)

Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Geci, nuk e ka pritur mirë vendimin e dy policëve për t’ia shqiptuar një tiketë-gjobë vëllait të tij, për kundërvajtje në trafik.

Ai dyshohet se i ka penguar policët gjatë shqiptimit të tiketës, edhe pse versioni i tij është pak më ndryshe. Geci dyshohet se i ka kërcënuar zyrtarët policorë.

Insajderi merr vesh se policia ka qenë duke i shqiptuar një tiketë për kundërvajtje në trafik vëllait të zëvendësministrit Geci, pasi që vetura e tij ka qenë e parkuar në hapësirë që nuk është e lejuar, në rrugën “Rrustem Statovci”, në Prishtinë.

Geci, i cili fillimisht nuk kishte qenë i pranishëm, ishte afruar duke u prezantuar si VIP, para policëve. Siç merr vesh Insajderi, ai i ka kërcënuar policët duke u thënë “keni me pa kush jam unë që po e shqipton dënimin”, dhe me fjalët “ama numrin se ke me pa kush jam unë dhe këtë kam me raportu te ministri”.

Polici zyrtar i kishte kërkuar Gecit disa herë që të largohej pasi që ai nuk kishte kryer kundërvajtje, por vëllau i tij, dhe se ai është i barabartë siç do qytetar tjetër, por Geci kishte vazhduar me kërcënime.

Rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 09:50, në rrugën “Rrustem Statovci”, në Prishtinë.

Lidhur me këtë rast është informuar edhe njësia e hetimeve, të cilët po ashtu e kanë lajmëruar edhe prokurorin kujdestar.

Zëvendësministri e ka dhënë versionin e tij për këtë rast.

Geci tha për Insajderin se ka kërkuar nga policët që të ndërmarrin masa ndaj të gjithëve në trafik.

“Tiketa s`ka pas të bëjë me mua. Ju kam prezantu policit edhe i kam kërku që të ndërmerr masa ndaj të gjithëve jo në mënyrë selektive. Ai me preku në krah dhe me tha largohu. Për atë prekje i thash që do ta raportoj pasi ai nuk ka të drejtë të sillet në atë mënyrë. Pra ti thuash dikuj që do të raportoj për këtë sjellje tende nuk është kërcënim”, tha Geci.

Insajderi ka siguruar pamjet e këtij incidenti.