Ja sa deputetë do t’i kenë shqiptarët në Parlamentin e Malit të Zi

Sipas rezultateve të para të numërimit të votave në Mal të Zi dhe ndarjes së mandatave, partia DPS e Milo Gjukanoviqit do t’i ketë 29 deputetë, koalicioni “Për të ardhmën e Malit të Zi” 27, “Paqja është kombi ynë” 10 mandate, “Bardhë e zi” katër.

Nga tre deputetë do t’i kenë Socialdemokratët dhe Partia Boshnjake, nga dy deputetë Lista Shqiptare dhe SDP dhe Koalicioni Shqiptar njëzëri një deputet.

Pra, sipas rezultateve preliminare, shqiptarët në Parlamentin e Malit të Zi do t’i kenë tre deputetë.

Sipas vlerësimeve të para, lista DPS – Përcaktuar për Malin e Zi e Milo Gjukanoviq ka 34.2 për qind dhe koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” 33.7 për qind.

Koalicioni “Paqja është kombi ynë” ka 12.6 përqind, “Bardh e zi” pesë përqind, Partia Boshnjake 4.4 përqind, Social Demokratët 4.3, SDP – Mali i Zi i fortë tre përqind, Koalicioni Shqiptar Njëzëri 1.1 përqind, Lista Shqiptare 1.4 përqind, HGI 0.2 përqind.

Sipas CEMI, rezultatet duhet të merren me një rezervë pasi një përqindje e mjaftueshme e mostrës nuk është përpunuar ende.

Përfaqësuesja e Qendrës për Monitorim dhe Kërkim, Maja Bjeliq, tha se ekipi juridik CEMI pranoi më shumë se 660 raportime për parregullsi gjatë zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi që u mbajtën sot.