Ja sa u shtrenjtuan nafta dhe benzina këtë vit

0
89
Çmimi i naftës dhe i benzinës në Kosovë vazhdon të jetë i lartë. Aktualisht një litër naftë kushton 1.16 centë, derisa një litër benzinë 1.17 centë. Vitin e kaluar, në këtë kohë, 1 litër naftë ka qenë 98 centë, derisa një litër benzinë 1 euro. E, para rreth një muaji në Kosovë çmimi ka qenë 3 deri në 5 cent më lirë. Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë për Gazetën Express se nuk mund të ndërhyjnë në tregun e lirë. Kurse, naftëtarët arsyetojnë ngritjen e çmimeve.
Në Shoqatën e Naftëtarëve të Kosovës kanë treguar për Gazetën Express se çmimet e derivateve janë rritur, por thonë se kosovarët janë duke blerë naftë dhe benzinë me çmimin më të lirë në rajon.
“Qytetarët dhe bizneset në Republikën e Kosovës s’kanë nevojë për panik, se janë duke u shërbyer me çmime më te lira në rajon. Çmimet përafërsisht sillen sot: dizeli 1.16, kurse benzina 1.17 centë”.
Në këtë shoqatë po ashtu kanë treguar se vitin e kaluar çmimet e derivateve kanë qenë rreth 98 centë për litër.
“Në vitin e kaluar ne ketë kohë çmimi i dizellit ka qen rreth 0.98 cent. Sepse ka qen kuota ndërkombëtare e prodhimit e madhe dhe çmimi ka qen ma i lirë ,ndërsa në ketë kohë sipas organizatës së prodhuesve OPEK prodhimi është më i vogël dhe si pasoj e prodhimit edhe çmimi është më i lart në globin botorë dhe kjo ndikon edhe te ne në Kosovë”.
E, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thonë se shteti nuk mund te ndërhyjë në çmimin e lirë të tregut.
“MTI është përgjegjës vetëm për cilësi ne tregun e brendshëm. Ministra e tregtisë dhe industrisë nuk ka kompetencë për kontrollin e çmimit te derivateve ,pasi qe tregu është i lirë”, ka thënë për Express, Enver Hajrullahu, këshilltar i ministrit Bajram Hasani.
Ndërsa, Valon Prestreshi, kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, ditë më parë në një deklaratë për media ka treguar se idealja është që në Kosovë mos të ketë çmime unike, pasi që kjo është ekonomia e tregut të lirë.
“Po kjo është idealja pikërisht këtë e kërkon konkurrenca që mos të ketë çmime unike. Kjo është ekonomia e tregut të lirë që konsumatorët të kenë mundësi të zgjedhin naftën ose benzinën më kualitative. E paguajnë më shtrenjtë naftën më cilësore, nëse duan jo cilësi të paguhet më lirë. Le të jetë zgjidhje e konsumatorëve këtë e kërkon edhe Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës që të ketë diskrepancë të çmimit, jo të jenë çmimet unike”, ka thënë Prestreshi.
Sipas tij, çmimet unike janë të ndaluara me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Gjatë ditës së sotme, treguesit referencë për naftën e papërpunuar amerikane, kanë treguar se çmimi është sillur nga 65.48 dollarë amerikanë për fuçi.
Treguesit referencë për naftën e papërpunuar europiane, Brent, u rritën me 0.5 për qind dhe u tregtuan me 75.46 dollarë amerikanë për fuçi.