Ja se si duhet të sillen njerëzit me përgjegjësi shtetërore/Merkel: Ndjej turp të thellë përballë krimeve që u kryen këtu nga Gjermania

Pas 14 vjetësh në detyrë, kancelarja ka vizituar kampin më famëkeq të përqendrimit të Gjermanisë naziste. Ndërsa ishte atje, ajo nënvizoi përgjegjësitë e vendit të saj.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki qëndruan në heshtje përpara Murit të Vdekjes në Aushvic, në oborrin e vogël ku nazistët ekzekutuan mijëra polakë, shkruan DW.

Merkel falënderoi të gjithë ata që flasin për traumën që përjetuan: “Faleminderit për guximin dhe aftësinë tuaj të fuqishme për të falur”.

“Unë ndjej turp të thellë përballë krimeve që u kryen këtu nga Gjermania”, tha ajo, duke shtuar më vonë se kujtimi i krimeve dhe pranimi i përgjegjësisë është një “pjesë e pandashme” e identitetit kombëtar të Gjermanisë.

Gjermania ka “detyrim të mbrojë jetën hebreje”, vuri në dukje Merkel, duke shtuar se “antisemitizmi nuk do të tolerohet”.

Ajo gjithashtu vizitoi Murin e Vdekjes në pjesën e Aushvicit, ku ushtarët SS pushkatuan mijëra vetë, shumica të burgosur polakë. Zona e ekzekutimit është një vend i rëndësishëm kombëtar për kujtesë.

Kryeministri Morawiecki, duke folur përpara Merkel, gjithashtu nënvizoi detyrimin e vendit të tij për të mbajtur gjallë kujtesën dhe për ta mbrojtur atë.

Pas Helmut Schmidt (1977) dhe Helmut Kohl (1989 dhe 1995), Merkel u bë vetëm kancelarja e tretë gjermane që vizitoi Aushvicin.