Ja se si verifikohen votat e ardhura me postë nga Serbia, si në gjendje lufte (foto)

Në orën 09:30 ka nisur verifikimi i votave të ardhura me postë nga Serbia.

Për shkak të frikës së zyrtarëve të KQZ-së, vëzhguesve u është dashur me këto veshje të kryejnë këtë proces.

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ekspertë të forenzikës kanë hapur për herë të parë pas më shumë se një jave sallën në të cilën janë të vendosura zarfet me fletëvotime të ardhura nga Serbia, përcjell Koha.net.

Sipas zyrtarëve të KQZ-së që janë prezent në sallë, nuk ka ndonjë shenjë të dyshimit për ndonjë alergji të mundshme sikurse herën e kaluar.

Kujtojmë se salla ka qenë e mbyllur prej ditës kur disa pjesëtarë të KQZ-së, gjatë verifikimit të fletëvotimeve u dërguan për trajtim mjekësor pas shqetësimeve për një alergji të ngritura pas hapjes së kutive të cilat gjendeshin këto zarfe të ardhura nga votuesit serbë të Kosovës që jetojnë të shpërngulur në Serbi.

Gjithashtu, dymbëdhjetë pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi që janë ankuar për reaksione alergjike teksa po verifikonin zarfet me vota të ardhura nga Serbia, janë liruar nga spitali.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Bazuar në raportimet nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë, procesi kaloi qetë dhe ishte në harmoni me standardet demokratike.