Jahjaga apel anëtarëve të Kongresit Amerikan: Kërkoni llogari për atë që Serbia ka bërë në Kosovë

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga po dëshmon në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga Eliot Engel.

Ajo është ftuar të dëshmojë llogari për atë që Serbia ka bërë në Kosovë.

Jahjaga është përshkruar nga Engel, si një aktiviste që ka ndihmuar rastet e luftës, e sidomos gratë që ishin gjatë luftës në Kosovë.

“Ne do të donim të shfrytëzonim këtë rast për të shprehur pjesë nga historia jonë e dhimbshme dhe të marrim përkrahje për kërkimin e drejtësisë”, ka thënë Jahjaga në Kongresin Amerikan.

Ajo thotë se edhe përkundër mijëra shqiptarëve që u preken drejtpërdrejt nga lufta, përkundër se Kosova numëron aq shumë të vdekur nga lufta, e të tjerë viktima të dhunës, Serbia akoma mohon cdo krim.

“Ka pasur më shumë akuza për UCK’në se sa për krimet që kanë kryer serbët, e që kanë qenë të organizuara mirë”, është shprehur Presidentja Jahjaga.

Bashkë me Jahjagën në Kongres dëshmoi edhe Vasfije Krasniqi – Goodman, e cila është gruaja e parë që ka rrëfyer historinë e saj të dhunimit nga forcat serbe gjatë luftës.

“Ajo ka bërë historinë duke qenë viktima e parë që ka treguar për dhunimin e saj, duke iu dhënë kurajo edhe shumë viktimave të tjera”, ka thënë Kongresmeni Engel.