Jasharaj : S’ka marrëveshje , Avokati i Popullit foli nga emocionet dhe optimizmi

Avokati i Popullit, Naim Çelaj, ka thënë mbrëmë se grevistët e arsimit dhe Qeveria janë përafruar drejt një marrëveshjeje.

Por një gjë të tillë e ka mohuar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj ka thënë për Front Online se deklaratat e Avokatit të Popullit për një marrëveshje të mundshme me Qeverinë janë dhënë nga optimizmi që ka ai.

Sipas Jasharajt, Qeveria nuk ka shprehur një gatishmëri që të lëviz nga pozicioni i barrikaduar ndaj SBASHK-ut.

“Ndoshta Avokati i Popullit e ka thënë me emocione dhe me optimizëm që situata të relaksohet. Optimizmi i tij është por ne pa u ulur dhe pa parë se çfarë po bëhet sepse shkresa e avokatit nuk i arrin dhe plotëson kërkesat që i kemi ne tani. Nëse ai e ka ndonjë informacion që nuk e ka thënë në opinion apo neve se Qeveria ka shprehur një gatishmëri që të lëviz nga pozicioni i barrikaduar urojmë që është kështu po të themi që marrëveshja është afër pa u ulur bashkë dhe pa i pa versionet finale të pajtueshmërisë mes palëve unë nuk mund të them një gjë të tillë”, potencoi Jasharaj.

I pari i SBASHK-ut tha se çdo letër e avokatit nuk është obligative ndaj Qeverisë.

“Ne po presim një version final të pajtueshmërisë, jo të Avokatit se ai është palë ndërmjetësuese por nga Qeveria. Çdo letër e Avokatit nuk është obligative ndaj Qeverisë”, u shpreh ai.

Të pakënaqura përveç sindikatës së arsimit janë edhe disa sindikata të tjera, të cilat që nga 25 gushti kanë hyrë në grevë deri në afat të pacaktuar, shkruan Front Online.