Jevtiq: Kurti po na e vështirëson situatën, nuk jemi larg vendimit që të largohemi nga institucionet edhe në jug

Dalibor Jevtiq nga Lista Serbe, ka deklaruar se ekziston mundësia që edhe serbët në jug të të Mitrovicës të largohen nga institucionet e Kosovës.

Ai tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i interpreton ligjet në një mënyrë, që i përshtatet atij dhe se në Kosovë nuk respektohen ligjet aktuale lidhur me të drejtat serbe dhe komuniteteve të tjera joshumicë.

Jevtiq tha gjithashtu se situata në Kosovë, që nga ardhja e Kurtit në pushtet po vështirësohet çdo ditë e më shumë, sa i përket jetës dhe pozitës së serbëve në atë pjesë.

“Gjithçka që ka ndodhur së fundi është dëshmi se ndërkombëtarët nuk po e bëjnë punën e tyre sa i përket komuniteteve, para se gjithash për qetësimin e situatës dhe tejkalimin e tensioneve”, tha ai, transmeton lajmi.net.

Jevtiq tha gjithashtu se në Kosova “ka dhunë institucionale në të gjitha nivelet”, e që sipas tij serbët janë “viktimat të asaj që Kurti synon në kuptimin përfundimtar, e që është të vendos popullin serb në pozitë të vështirë dhe që t’i bëjë të largohen nga aty”.