“Jo në emrin tim dhe të popullit tim!”, reagon Murati pas vendimit të Apelit në Gjykatën Speciale në rastin e komandant Calit

“Jo në emrin tim! Jo në emrin e popullit tim!”, kryetari i Lëvizja për Bashkim, Valon Murati, ka reaguar pas vendimit të Apelit në Gjykatën Speciale në rastin e Komandant Calit, të cilit ja zbrit dënimin vetëm për katër vitet kjo gjykatë e Kosovë me Seli në Hagë të Holandës.

“Në emrin e popullit shqiptar për të cilin Cali punoi tërë jetën e tij, ai do të duhej të ishte në mesin e familjes e në mesin tonë”, ka shkruar Murati.

Ndërkohë, Murati ka përfunduar duke thënë se është “me Calin”.

Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka ulur në 22 vjet burgim dënimin prej 26 vjetësh për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Vendimi është bërë i ditur nga kryetarja e trupit të Apelit, Michele Picard, të enjten, në sallën e gjyqit në Hagë, ku i pranishëm ishte edhe Mustafa.

Ky njëherësh ishte aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë. Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

Salih Mustafa, ishte dënuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata Speciale, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Vetë ai ishte deklaruar i pafajshëm për këto krime.

Më vonë gjatë këtij viti, Salih Mustafa kishte apeluar vendimin prej 26 vjetësh burgim duke kërkuar shpalljen e një vendimi pafajësie apo ulje të dënimit.

Mustafa kishte pretenduar për gabime juridike dhe faktike nga trupi gjykues, por këto kundërshtime u rrëzuan nga Paneli i Apelit.

Përmes avokatit të tij, Mustafa kishte thënë se gjatë shqiptimit të dënimit, trupi gjykues ishte selektiv dhe mori parasysh vetëm dëshmitarët që dëshmuan kundër Mustafës.

Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar që aktgjykimi dënues të mbetej në fuqi, meqë, sipas tyre, për këtë kishte prova të besueshme.

Dënimi ndaj Mustafës kishte shënuar aktvendimin e parë të Speciales lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Mustafa ishte arrestuar dhe transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.

Krimet për të cilat ai mbahet përgjegjës është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Procesi gjyqësor ndaj tij kishte nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe gjatë tij kanë dëshmuar 29 dëshmitarë, 14 prej tyre të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.

Në mesin e këtyre dëshmitarëve kishte edhe persona që u paraqitën si viktima.

Në muajin prill, Gjykata Speciale e Kosovës kishte nxjerrë një vendim, me të cilin e detyron Mustafën t’ua paguajë 207 mijë euro viktimave të vrasjes së paligjshme, të ndalimit arbitrar dhe të torturës.

Në shpalljen e urdhrit për zhdëmtim më 6 prill 2023, gjykata konstatoi se janë tetë viktima të cilave do t’u takojë dëmshpërblimi.

Sipas Prokurorisë së Specializuar në Hagë, në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata Speciale e Kosovës është formuar pas publikimit të një raporti të Këshillit të Evropës më 2011, nën autorësinë e senatorit zviceran, Dick Marty. Më 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për formimin e kësaj gjykate.