“Jo në emrin tim”, PSD-ja me grafite te EULEX-i kundër Gjykatës Speciale

Partia Socialdemokrate ka protestuar në mënyrë simbolike para zyrave të EULEX në Fushë-Kosovë.

Kjo protestë ishte reagim ndaj vendimit për dënimin e Salih Mustafës nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim.

Si reagim ndaj këtij vendimi, aktivistët e PSD-së shkruan në rrethojat e EULEX-it: “NOT IN MY NAME” (JO NË EMRIN TIM).

“Deklarimit të vendimit ndaj z. Salih Mustafa i parapriu shpjegimi politik; shprehjes ‘në emër të popullit’ iu dha sqarim nga Gjykata. Mandati i saj, thoshte sqarimi, vjen nga Kuvendi i Kosovës. Prandaj dhe vendimet e kësaj gjykate rrjedhin nga populli i Kosovës. Dhomat e Specializuara dëshirojnë legjitimim përtej atij formal-jurdik të saj, sepse vendimet e kësaj gjykate nuk kanë legjitimitet te populli i Kosovës. E si të kenë, teksa përbrenda ligjit, që s’frymon me konventa ndërkombëtare të drejtësisë, i hapet rruga gjykimit një-etnik vetëm me qëllimin përfundimtar përtjetërsimin e luftës çlirimtare në konflikt për interesa të ngushta vetanake”, thuhet në komunikatën e PSD-së.

Kurse, PSD paralajmëroi se të shtunën mbajnë protestë në orën 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” kundër vendimeve të Gjykatës Speciale.