Jovanoviq : Në atë vend ku mirëpritet Putini nuk ka të ardhme

Kryetari i Partisë Liberal-Demokratike, Çedomir Jovanoviq, u është përgjigjur ashpër akuzave që i kanë ardhur nga politikanë të ‘Aleancës për Serbinë”, lidhur me vendimin e partisë së Jovanoviqit për të mos e bojkotuar fjalimin e presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, që u mbajt në Kuvendin e Serbisë.

Sipas Jovanoviqit, gjëra të tilla kanë ngjarë vetëm gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

“Ata po tregojnë që kanë më shumë ngjashmëri me Sllobodan Millosheviqin”, ka thënë Jovanoviq si kundërpërgjigje për kritikët.

Sipas politikanit pro-evropian serb, nuk pritet të ketë të ardhme të mirë për Serbinë, përderisa mirëpritet presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e bojkotohet ai i Sllovenisë.

“Nuk ka të ardhme të mirë për Serbinë, ku pritet Putini dhe bojkotohet Pahori. Politika që po mundohet të arsyetojë kolapsin e marrëveshjes së Brukselit, është e njëjta politikë që dërgon këshilltarët e saj më të mirë në Kremlin, së bashku me politikën e tyre të konflikteve ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian”, është shprehur Jovanoviq, shkruajnë mediat serbe.

Sipas politikanit serb, Sllovenia është një anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe mund të ndihmojë Serbinë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Nuk do të ketë demokraci në Serbi nëse ideologjia kryesore është nacionalizmi dhe izolimi nga bota. Ky është mesazhi ynë i qartë për elitën në pushtet, kolegët nga opozita por mbi të gjitha për qytetarët që duan lirinë dhe jetën normale, atë të cilën ne ua kemi mohuar për shkak të mungesës së guximit dhe vendosmërisë për të thyer politikat shkatërrimtare të Millosheviqit, që shënuan luftëra, krim dhe konflikte me Perëndimin”, ka shtuar ndër të tjera Çedomir Jovanoviq.

Jovanoviq ndërkohë ka drejtuar edhe akuza të ashpra ndaj partisë “Aleanca për Serbinë”, duke thënë se partia e tij e ka për obligim t’u ofrojë qytetarëve serbë dhe kësaj qeverie një opozitë.

“Ne jemi të obliguar t’iu ofrojmë qytetarëve serbë një alternativë, që nuk i lejon ata të bien në duart e militantëve ortodoks të “Aleancës për Serbinë’ e cila organizon kampe ushtarake me fëmijë dhe i dërgon ata në duart e ekstremistëve rus, që për ne ata janë armiku më i madh”, ka thënë ndër të tjera Jovanoviq.