Juventusi mposht Atleticon dhe siguron vendin e parë

Juventusi e ka mposhtur Atletico Madridin me rezultat 1 – 0, në ndeshjen e xhiros së pestë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve duke e siguruar vendin e parë në Grupin D.

Në ndeshjen e zhvilluar në ‘Juventus Stadium’, vendasit e mbyllën me epërsi prej një goli pjesën e parë. Rezultati u zhbllokua në minutat shtesë të fraksionit të parë (45’+2) me një gol të mrekullueshëm të shënuar nga Paulo Dybala.

Sulmuesi argjentinas mori përgjegjësinë për ta ekzekutuar një gjuajtje të lirë dhe goditi nga një kënd thuajse ‘i pamundur’, ndërsa topi përfundoi në portën e Jan Oblak.

Mysafirët bënë lojë ofensive në gjysmën e parë të takimit në përpjekje për ta barazuar rezultatin, mirëpo pa sukses. Megjithatë, rastin më të mirë në gjysmën e dytë e pati Federico Bernardeschi, i cili pas një aksioni të krijuar nga vet ai, e goditi shtyllën.

Me 13 pikë të arkëtuara nga pesë ndeshje, Juventusi e ka siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt nga pozita e parë në Grupin D.

Atletico Madridi akoma nuk e ka siguruar kualifikimin, pasi ka vetëm një pikë më shumë se Bayer Leverkuseni, kur ka mbetur edhe një xhiro për t’u zhvilluar.

https://streamable.com/ntcl9