Ka filluar tërheqja e zyrtarëve policorë nga objektet komunale në veri

Dukagjini ka mësuar se trupat e Njesisë Speciale të Policisë së Kosovës kanë filluar të tërhiqen nga objektet komunale në Zveçan dhe Zubin Potok. Megjithatë, në Leposaviq, sipa burimit, nuk do të ndodhë një ndryshim i tillë.

Ky hap vjen si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar në Bratislavë të martën, ku pika kryesore parashikon angazhimet nga Kosova për të filluar tërheqjen e policëve në masën 25 për qind.

Çka ndodhi në Bratisllavë?

Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, ka lëshuar dje një komunikatë për media në uebfaqen e Kryeministrisë, duke shpërndarë detaje të rëndësishme për marrëveshjen për shtensionimin që u arrit në Bratislavë, midis kryenegociatorit Besnik Bislimit, dhe Miroslav Lajçak, emisarit të Bashkimit Evropian.

Në këtë komunikatë, Qeveria Kurti vë në pah gatishmërinë e tyre për të kontribuar në zbutjen e situatës në katër komunat në veri të vendit.

Ndër të tjera, komunikata thekson se Qeveria e Kosovës ka vendosur një zvogëlim të menjëhershëm në masën e 25% të prezencës së policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në veriun e vendit. Ky veprim ka për qëllim të mosndërmarjes së veprimeve që mund të shkaktojnë eskalim të situatës në këtë rajon.

“Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.” – theksohet aty.

Borrell mirëpret marrëveshjen

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, shprehu vlerësimin e tij për përkushtimin e Kosovës ndaj marrëveshjes së fundit që Bratisllavë që synon uljen e tensioneve.

Në një postim në Twitter, Borrell tha se “mirëpret përkushtimin e Kosovës ndaj marrëveshjes” dhe inkurajoi hapa të mëtejshëm pozitivë në këtë drejtim.

“E mirëpres përkushtimin e Kosovës ndaj marrëveshjes që arritëm në hapat e parë për deskalim. Presim që Kosova të ndërmarrë hapa të mëtejshëm pozitivë dhe të vazhdojë të përparojë në këtë drejtim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me palët me Miroslav Lajçak,” – ka thënë ai.