“Ka shumë mundësi që të bëhet koalicioni AAK-Nisma-PDK me parti tjera të vogla”

Ndonëse disa prej partive kanë bërë koalicion me njëra-tjetrën e disa të tjera janë në bisedime, Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon të mbesë e vetme përballë sfidës së 6 tetorit. Nga PDK-ja nuk kanë pohuar nëse kanë pasur ofertë nga ndonjë parti për bashkëpunim parazgjedhor, por kanë deklaruar se nuk do ta lusin asnjë subjekt politik për të lidhur koalicion, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndonëse edhe Xhavit Haliti ka paralajmëruar befasi të këndshme, analisti politik Rasim Alija, duke folur për gazetën, është shprehur se kjo befasi mund të jetë koalicioni PDK-AAK-Nisma dhe partitë tjera të vogla.

Megjithëkëtë, Alija thotë se ditët e mbetura për publikimin e koalicioneve do të shfrytëzohen në maksimum nga partitë për të bërë plane dhe t’i presin momentet e fundit për t’i lidhur koalicionet.

“Ka shumë mundësi për një koalicion Nisma-AKR-PDK dhe partitë e tjera të vogla. Por për këtë do të pritet deri në afatin e fundit ligjor, duke lënë kohë që të shikohet sjellja e subjekteve tjera politike. Nëse do të ndodhte kjo me gjasë do të aktivizohej ‘Plani B’, një koalicion në mes të LVV-së dhe LDK-së pikërisht si zgjidhje për të pamundësuar një PAN të ri. Nëse do ndodhnin këto lëvizje të momenteve të fundit, që ka shumë gjasë të ndodhin, do t’i kishim tri blloqe, të cilat do të garonin dhe si rezultat do t’i kishim zgjedhjet më interesante dhe më përcaktuese për Kosovën që nga paslufta”, ka deklaruar Alija për “Zërin”.