Kadri Veseli: Presim pranverë të bukur në Kosovë – lazdrimllëku mund ta bëjë pranverë me shi

0
295
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte thënë se “ka me u shkri bora dikur” kur ishte pyetur nga gazetarët nëse do ta pezullonte taksën prej 100% ndaj produkteve të Serbisë, apo do ta rrëzonte Qeverinë.
Disa ditë më vonë, Presidenti Hashim Thaçi pati një postim të pazakontë në llogarinë e tij në Facebook: “Bora ka zënë të shkrihet shpejt… Uroj të mos bëhet skllotë!”.
Kryeparlamentari Kadri Veseli – për dallim nga Haradinaj dhe Thaçi që u morën me borë e skllotë – është më optimist meteorologjikisht: mendon se “një pranverë e bukur po vjen në Kosovë“.
“Jemi duke ecur nga pranvera e bukur në Kosovë. Jemi në konsultime shumë serioze që ta bëjmë atë çka është më e mira për Kosovën, çka është më e mira për qytetarët, shtetin dhe partneritetin e Kosovës me Bashkësinë Ndërkombëtare”.
Në një intervistë ekskluzive në Info Magazinetë Klan Kosovës, ai ka dhënë më shumë detaje për “ardhjen e pranverës së bukur”.
“Pranvera nënkupton një vazhdimësi të pranverës më të bukur shqiptare, pranverës më të bukur në Kosovë – qershorin e vitit 1999″.
“Një vazhdimësi ku Pavarësia e Kosovës fuqizohet, institucionet e Republikës së Kosovës fuqizohen, qytetari për aq sa edhe ekonomia e Kosovës, por ruhet edhe fuqizohet edhe më shumë partneriteti me SHBA-të dhe partnerët tjerë perëndimorë”.
“Jo lazdrimllëk dhe gabime që mund ta bëjnë pranverë – pranverë do të jetë gjithsesi – por, jo të jetë me shi, derisa më mirë është të jetë pranverë me diell dhe gjelbërim”.
Veseli ka thënë se Serbia e meriton vendosjen e taksës 100% për produktet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina por sipas tij kjo masë duhet të qëndrojë duke u koordinuar gjithmonë me SHBA-të.
“Në raport me Serbinë, çdo vendimmarrje ka legjitimitetin dhe arsyeshmërinë, sepse Serbia për dy dekada ka qenë jofer, jokorrekte dhe jofalenderuese ndaj një gjeneroziteti që ka pasë Kosova për t’i përmirësuar raportet me Serbinë”.
“Kemi të bëjmë me një situatë që nuk do të duhej të krijonte problem mes nesh – raporti ynë me SHBA-të dhe partnerët perëndimorë”.
“Qëndrimi im është se institucionet tona në vendimmarrje duhet të jenë më të kujdesshme dhe strategjikisht më të mençura për hir të interesave qytetare, duke e mbajtur taksën 100% për Serbinë e cila e meriton këtë taksë dhe e meriton edhe më shumë, por, në të njëjtën kohë duke dëgjuar Bashkësinë Ndërkombëtare – SHBA-të më konkretisht – një aleat strategjik dhe një garancë e sovranitetit dhe integritetit tonë territorial dhe institucional”.
Kryeparlamentari ka thënë se të gjithë liderët institucionalë po punojnë që të mos lejojnë të dëmtohet marrëdhënia jonë me SHBA-të.
“Ne jemi në përpjekje intensive, seriozitet të debatit – duhet ta dini se si presidenti, kryeministri dhe unë, dhe të gjithë faktorët që jemi aktualisht në institucionet e Kosovës, jemi duke u munduar seriozisht dhe nuk do të lejojmë që të dëmtohet shteti dhe partneriteti me SHBA-të”.