Kamberi: Besojmë që çështja e shqiptarëve të Luginës të jetë pjesë finale e bisedimeve

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kërkuar që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të përfshihet në marrëveshjen finale të dialogut Kosovë-Serbi.

Pas takimit, me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministren e arsimit, Arbërie Nagavci, në Komunën e Bujanocit, Kamberi tha se shpresojmë që kjo kërkesë të përfshihet në dialog.

“Çështja e të drejtave të Luginës duhet të jetë prezentë, besojmë dhe shpresojmë që Qeveria e Kosovës, marrëveshjen finale që duhet të arrihet me Serbinë, çështjen e shqiptarëve të Luginës ta ketë pjesë”, tha ai.

Ndërsa në një postim në rrjetin social “Facebook”, Kamberi ka shkruar se me dy zyrtarët bisedoi për rrjedhën e politikës së përgjithshme në Luginë të Preshevës. Temë e diskutimit ishte edhe angazhimi i Kosovës në dialogun me Serbinë për më shumë të drejta për shqiptarët.