Pas sanksioneve të SHBA-së, Apostolova i shkon në zyre Kurtit – i premton fonde nga BE

Kompania “Contour Global” ka bërë të ditur se ka vendosur të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat. Pas këtij vendimi shefja e misionit të BE-së ia ka zënë zyrën kryeministrit ku i ka ofruar mbështetjen e BE-së.

Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim shefen e misionit të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe zëvendës shefin e BE-së Riccardo Serri, me të cilët ka biseduar për gjendjen me koronavirus COVID-19 dhe masat që ka marrë qeveria në këtë drejtim, transmeton lajmi.net.

Apostolova ofroi mbështetjen e BE-së dhe tregoi se janë duke bërë përpjekje për të siguruar fonde të cilat do të ndihmonin sistemin shëndetësor të Kosovës, për të menaxhuar sa më mirë situatën e krijuar.

Po ashtu, Apostolova ritheksoi qëndrimin e Zyrës së BE-së se heqja graduale e taksës me Serbinë është hapi i parë i arsyeshëm.

Kujtojmë, se gjatë ditës së sotme kompania “Contour Global” ka bërë të ditur se ka vendosur të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat.

Sipas njoftimit të “Contour Global”, arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen dhe se arsye kryesore ka qenë edhe situata politike e krijuar në vend, e në veçanti, kundërshtimi i kryeministrit Albin Kurti për këtë marrëveshje në kohën sa ishte në opozitë.

Ndryshe, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për lajmi.net, se deri më tani nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar nga kompania “Contour Global”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka bërë të ditur për lajmi.net, se në këtë situatë ekzekutivi nuk mund të thotë asgjë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar nga “Contour Global” i cili sugjeron atë së çfarë është raportuar në medie. Prandaj, ne nuk mund të komentojmë asgjë në atë drejtim”, ka deklaruar Kryeziu.