Kamberi: Gjendja në Preshevë është e rëndë, po largohen rinia

0
447

Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit dhe i partisë PVD, ka thënë se bisedimet Kosovë-Serbi janë mundësia e fundit për një zgjidhje të drejtë.

“Në prag të nisjes së fazës finale të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të rezultojnë jo vetëm me Marrëveshje ligjërisht të obligueshme për palët por edhe me garancë që Kosova të fitojë ulësen në OKB, shpresa për përfshirjen e Luginës së Preshevës si pjesë e Dialogut Final po shtrohet si mundësi jetike për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe të duhur edhe për shqiptarët.Muajt e fundit është dëshmuar një angazhim më i theksuar dhe i drejtpërdrejtë i institucioneve të Kosovës për të përkrahur kërkesat legjitime të Luginës së Preshevës. Ky angazhim I institucioneve të Kosovës, sidomos i presidentit dhe delegacionit shtetërorë të Kosovës po paraqet një kapitull të ri të aktualizimit ndërkombëtarë të çështjes së Luginës së Preshevës”, ka thënë Kamberi.

Kamberi thotë se Presheva është shndërruar në geto të vërtetë, pa perspektivë që po ndikon në largimin e rinisë.

“Gjendja aktualisht e rëndë, vjen si pasojë e grumbullimit të shumë problemeve jetike për të cilat qeveria e Beogradit nuk ka treguar asnjëherë gatishmëri serioze për të gjetur zgjidhje të pranueshme, duke i konsideruar shqiptarët si element të padëshirueshëm. Mungesa e zgjidhjeve të duhura të proceseve të shumta politike në të cilat shqiptarët kanë marrë pjesë (2001, 2009, 2013), të cilat Luginën e Preshevës e kanë shndërruar në një geto të vërtetë, vend pa perpektivë, që po ndikon largimin në masë sidomos të rinisë, dukë dëmtuar në mënyrën më serioze bërthamën kombëtare në këtë rajon”, ka theksuar ai.

Të ballafaquar me këtë gjendje të vështirë, shqiptarët e Luginës së Preshevës Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, e shohin si mundësinë e vetme, për të gjetur zgjidhjen adekuate për pozitën e tyre. Marrëveshja eventuale mes dy shteteve nuk do të ishte e plotë nëse nuk jep përgjigjen e drejtë edhe për pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.