Kamberi mohon kompromis të Qeverisë serbe me shqiptarët: Ka ministra që shprehin urrejtje

Ditë më parë në Kuvendin e Serbisë u votua përbërja e re e Qeverisë serbe.

Përgjatë kësaj seance shumë të rëndësishme për shtetin serb, bujë të madhe bëri edhe fjalimi i deputetit shqiptar, Shaip Kamberi.

Ndër të tjerash duke iu referuar kryeministres serbe, Ana Brnabiq, ai deklaroi se nuk ka paqe dhe ardhmëri pa ballafaqim me të kaluarën.

Në një prononcim për lajmi.net, Kamberi tha se përbërja e Qeverisë së re të Serbisë është vërtetë zhgënjyese.

Ai e quajti atë qeveri kontinuiteti që në praktikë nënkupton qeveri e cila vazhdon të diskriminojë shqiptarët.

“Një qeveri në përbërjen e së cilës ka ministra që hapur e shprehin urrejtjen antishqiptare, duke u krenuar me atë, nuk mund të jetë qeveri e cila punon, siç tha Brnabiq, për kompromis me shqiptarët. Një qeveri e cila refuzon të flasë hapur për varrezat masive në Batajnicë e vende tjera në Serbi, nuk jep shpresë për pajtim me shqiptarët”, tha Kamberi.

I pyetur nëse kjo përbërje e re e qeverisë do të jetë më funksionale sa i përket jetës së shqiptarëve në Luginë, Kamberi tha se assesi s’do të ketë një gjë të tillë.

“Assesi, në asnjë pjesë të ekspozesë se vet para zgjedhjes për kryeministre, Ana Brnabiq nuk ka folur për problematika më të mëdha që e presin. Ajo nuk ka përmendur nevojën e dialogut me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës as gatishmërinë për përballjen me krimet e luftës. Prandaj, që nga tash janë të zymta shpresat se kjo qeveri mund të bëjë diçka mirë”, shtoi ai.

Shaip Kamberi deklaroi se kanë përmendur shpesh herë që sfidat e shqiptarëve në Luginë janë dimensionale, në të gjitha sferat e jetës, e sidomos në sferën e respektimit të të drejtave individuale e kolektive.

Ditë më parë në shkollën fillore ‘Naim Frashëri’në Bujanoc u panë disa grafite ku shkruhej“Kosova është Serbi” , e Kamberi e cilësoi këtë tendencë të nxitjes së tensioneve ndëretnike në Bujanoc.

“Ndoshta si paralajmërim se ne të ardhmen, me një ministër të policisë siç është Aleksandar Vulin, mund të na presion provokime edhe më të rënda”, shtoi ai.

Ndër të tjerash Kamberi tha se e ka vlerësuar vendimin për hapjen e zyrës për Luginën e Preshevës si dhe vendimin e përbashkët me qeverinë shqiptare për të formuar Fondin për Luginë.

“Këto mekanizma presin të vihen në funksion. Por, mbi të gjitha presim që Qeveria e Kosovës, në bisedat me Serbinë të shtrojë në tryezë edhe çështjen e shqiptarëve në frymën e parimit të recriprocitetit”, tha ai.