Kamenica në ethe: 12 vetë të konfirmuar, mbi 160 tjerë presin testet për koronavirus

As Komuna e vogël e Kamenicës nuk është kursyer nga të infektuarit me sëmundjen infektive të bërë pandemi Covid-19.

Nga informacionet e deritashme, del se nga kjo komunë numri i të prekurve është deri tash 12, por që mund të rritet pasi janë edhe 161 kontakte të identifikuara me këta 12 qytetarë.

Po ashtu, janë të evidentuara edhe katër familje të tjera që kanë pasur kontakt me të infektuarit, e të cilat u janë nënshtruar testeve po ashtu.

Ja çka thotë Komuna për gjendjen:

Aktualisht Komuna e Kamenicës ka gjithsej 12 persona të identifikuar me virusin COVID-19 dhe fatmirësisht gjendja e tyre është stabile. Nga të dhënat që kemi nga stafi shëndetësor dhe IKShP-ja, gjendja e të gjithëve është mirë, duke përfshirë këtu edhe personat që janë në vetizolim. Nga 12 personat e prekur gjithsej, dy prej tyre janë akoma në Klininikën Infektive në Prishtinë, ndërkaq që foshnja pesë muajshe sot është liruar për në shtëpi për shkak që nuk ka komplikime shëndetësore dhe aktualisht gjendja e saj është mirë. Normalisht që do vazhdoj të jetë në vetizolim me prindërit dhe personat e tjerë në përputhje me udhëzimet e organeve kompetente, deri në shërim të plotë nga virusi SARS CoV-2-. Me identifikimin e rasteve pozitive në Kamenicë, ne kemi identifikuar të gjitha kontaktet. Deri më tani kemi 161 kontakte të identifikuara dhe sot u janë bërë testet nga IKShP-ja edhe një grupi të dytë. Jemi duke pritur rezultatet dhe shpresojmë që të rezultojnë negative. Përpos familjes, janë edhe katër familje të tjera të cilat kanë pasur kontakt me të infektuarit e të cilët u janë nënshtruar sot testeve.