Kaseta e masakrës në Krushë të Madhe, Basha: Ajo u mor nga BBC, s’jam takuar me Bellanicën!

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që janë hedhur në emër të tij në lidhje me fshehjen e kasetës së masakrës në Krushë të Madhe, ku i mbijetuari i kësaj masakre Milaim Bellanica është shprehur në media se ia ka dorëzuar Lulzim Bashës. Basha tha në ‘Opinion’ se kurrë nuk është takuar me Bellanicën dhe se në misionin e tij që kishte në Kosovë kurrë nuk ka hetuar dosje që kishin të bënin me UÇK-në.

“Kaseta e masakrës së Krushës së Madhe sipas vetë dëshmive të tij, është marr nga Dashmir Peza, apo BBC, në atë kohë si përkthyes i BBC, fakt që unë e kam mësuar përmes deklarimit të tij. Asnjëherë nuk e kam takuar zotin Bellanica dhe vetë fakti që kaseta është marr nga BBC dhe është transmetuar më pas nga 180 kanale botërore. Sipas pohimeve kaseta është marr nga BBC, e nxorët ju këtu, e tha Dash Peza. Që nuk ka asnjë interes të dalë e të thotë diçka në favorin tim. E thashë 3 herë këtë po në qoftë se ka nevojë ta themi 4 herë, kurrë në asnjë çast nuk kam marrë pjesë në asnjë lloj procesi dhe nuk kam pas asnjë lloj aksesi në asnjë informacion hetim dosje që kishte të bënte me UÇK-në dhe ky është një fakt i pohuar po kështu nga zoti Ëilliamson që ishte drejtuesi i departamentit të drejtësisë atëherë dhe më vonë kryeprokurori I EULEX-it e keni zoti Fevziu me zë dhe me figurë pohimin e tij dhe mund ta transmetoni”, tha Basha.

Kryedemokrati tha se ai kurrë nuk ka marrë pjesë në hetimet apo procese kundër UÇK-së, ndërsa shtoi se si pjesë e Tribunalit të Hagës ai ka bërë vetëm dy hetime edhe ato ishin përqendruar në Mitrovicë dhe ne fshatrat përreth për krimet që kishin kryer forcat paramilitare serbe.