Kastrati për Kurtin: Mbrëmë më erdhi me kajtë, thash qysh s’ka lindë ky njeri para Hasan Prishtinës e Ismail Qemalit

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka folur në seancën e Kuvendit të Kosovës për 100-ditëshin e Qeverisë Kurti.

Ai ka thënë se është habitur nga raportimi i kryeministrit Albin Kurti, i cili sipas Kastratit në raportimin e tij nuk e përmendi fare raketën e Jahja Kokës.

“Dje pasi e dëgjova raportin voluminoz të kryeministrit kisha përshtypjen se po flet një kryeministër i një vendi me shtatë koka bërthamore, i cili pavarësisht arritjeve nuk e futi këtë raketën e Jahja Kokës tek arritjet, në fakt më erdhi me kajtë se thash qysh s’ka lindë ky njeri para Hasan Prishtinës, para Ismail Qemalit e me e rahatu këtë vend para shumë kohësh”, ka thënë Kastrati, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se kjo Qeveri duket e lodhur qysh në fillimin e punës së saj, teksa ka thënë se po duket sikur Qeveria është me “autopilot dhe po ecë vetë”.

Kastrati ka thënë se mbështet planin për një shtet zhvillimor, por ka thënë se kjo nuk mund të arrihet me persona që kanë procese për korrupsion, me persona që kanë qenë të lidhur nga policia.

“Unë jam për shtet zhvillimor, Japonia, Korea e Jugut etj, por nuk ka shtet zhvillimor që kanë procese për korrupsion, për njerëz që janë të lidhur nga policia, nuk ka shtet zhvillimor me 4 milionë euro brenda Vetëvendosjes siç ka thënë Agjencia Kundër Korrupsionit. Ka shtet zhvillimor, nëse kryeministri del nëpër terren dhe iu tregon atyre në market se si shkapet shteti, si shkapet shteti nga Mytaher Haskuka”, ka thënë ai.